Challandes: Miqësorja kundër San Marinos, e rëndësishme
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, në konferencën para ndeshjes miqësore kundër San Marionos, ka thënë se “dardanët” nesër (e martë) do të luajnë një ndeshje të rëndësishme ndaj San Marinos në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Do të luajmë ndaj San Marinos një ndeshje të rëndësishme. San Marino ka një skuadër të mirë. Do të shohim se çfarë mund të tregojmë në këtë takim”, ka thënë Challandesi.
Strategu zviceran e ka mohuar se janë zgjedhur kundërshtarët e tillë për ta shpëtuar punën e tij, pasi ai ka thënë se Kosova nuk mund t’i zgjedhë kundërshtarët që dëshiron, raporton “Epoka e re”.
“Jemi Kosova dhe nuk mund të zgjedhim kundërshtarë që duam ne. Kemi luajtur dy ndeshje mjaft të vështira, ndaj Suedisë dhe Spanjës. Kemi gjetur kundërshtarë që do të mund të luanim më lehtë me ta. Në këto dy ndeshje mendoj se është mundësi e mirë. Na shërbejnë edhe për t’i parë lojtarët e rinj dhe shkojmë për fitore. Kemi respekt për të dyja ekipet, edhe San Marinon edhe Maltën. Nëse mendoni se i kemi zgjedhur vetëm për ta shpëtuar punën time, atëherë ju nuk dini asgjë për personalitetin tim”, ka thënë Challandes.