Challandes: Shqipëria, rival i duhur për këtë periudhë
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes dhe kapiteni Amir Rrahmani janë paraqitur sot në konferencë për media para ndeshjes miqësore kundër Shqipërisë, që do të zhvillohet nesër në orën 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Timonieri i Dardanëve në këtë paraqitje para gazetarëve ka vënë në pah situatën e vështirë si pasojë e pandemisë Covid-19, teksa ekipi po përballet edhe me probleme të lëndimeve dhe mungesë të paraqitjeve të futbollistëve në klubet e tyre. “Kemi lojtarë që po luajnë në mënyrë konstante, por kemi edhe lojtarë që pothuajse nuk po luajnë fare. Kjo e bën pak të vështirë për të sinkronizuar ekipin, por mendoj se nëpër të njëjtat vështirësi është duke kaluar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Sidoqoftë, duhet të fokusohemi që të marrim më të mirën dhe të kryejmë punën tonë. Sa i përket Shqipërisë mund të them se ka vërtetë ekip të mirë dhe më herët ka pasur një sukses goxha të madh, por nganjëherë suksesi është edhe i rrezikshëm dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve të mi, pasi kjo ka ndodhur me Shqipërinë”, ka theksuar Challandes.
Gjithsesi, trajneri zviceran ka thënë se Shqipëria mbetet një ekip shumë i mirë dhe që ka lojtarë shumë kualitativ që tashmë luajnë në liga të forta.
“E kam të qartë se disa prej tyre nuk do të jenë në këtë takim por prapëseprapë Shqipëria mbetet një kundërshtar shumë i fortë dhe besoj që është kundërshtari i duhur për neve në këtë periudhë”, ka thënë Challandes, duke shtuar se do të mundohet t’i menaxhojë sa më mirë mungesat në ekip.
“Për ndeshjen me Shqipërinë i kam në dispozicion 21 futbollistë dhe kjo është e mjaftueshme. Do të bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve në bazë të minutave që kanë me klubet e tyre. Nëse kemi probleme tjera, atëherë do ta shohim nëse kemi nevojë për lojtarë të tjerë. Do ta shohim situatën e Paçaradës, nëse mund ta arrijmë një marrëveshje me regjionin e Hamburgut që ta lëshojë atë dhe të mos karantinohet kur të kthehet. Pastaj, duket parë edhe situatën e Idriz Vocës nëse do të jetë i gatshëm pas lëndimit që ta përfshijmë eventualisht në ekip për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka nënvizuar Challandes.
Tutje ai ka thënë se pas humbjes nga Maqedonia e Veriut nuk ka qenë e lehtë këndellja e ekipit, por tashmë janë të përqendruar drejt të ardhmes. “Tani jemi në një fazë tjetër, jemi në grumbullimin fundit për këtë vit që do ta në shërbejë për të provuar t’u përmbahemi vlerave tona dhe të tregojmë atë që kemi ndërtuar , por po ashtu këto ndeshje janë edhe një lloj përgatitje për kualifikimet e Botërorit 2022”, ka nënvizuar Challandes