Challandesi deklarohet pas humbjes nga Suedia
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se Suedia ishte shumë e fortë për ekipin e tij në humbjen 3:0 të verdhekaltërve në ndeshjen e tyre hapëse në kualifikime për Kupën e Botës.
Kosova u mposht bindshëm 3:0 nga Suedia, në ndeshjen e saj hapëse në kualifikimet për Kupën e Botës 2022, e cila u përshkua nga gabime shumë të kushtueshme në mbrojtje.
Ludwig Augustinsson dhe Alexander Isak nga një herë në pjesën e parë dhe Sebastian Larsson nga penalltia në pjesën e dytë shënuan për t’ia siguruar Suedisë fitoren ndaj Kosovës të dielën në Prishtinë,.
Dardanët po vinte e motivuar në këtë takim, pasi e kishte mposhtur Lituaninë 4:0 në një ndeshje miqësore në mesjavë, por e vetëdijshëm që mungesat e mëdha si kapiteni Amir Rrahmani, Ibrahim Dresevic në mbrojtje, Valon Berisha e Herolind Shala në mesfushë.
Duke folur pas ndeshjes, Challandes tha: “Mendoj se i kemi luajtur dy ndeshje. Pjesa e parë nuk ishte e keqe. Patëm mundësi të mira dhe luajtëm me kurajë. I morëm dy gola budallallëqe. Kemi pasur mundësi kundër një ekipi të fortë. Tranzicioni ishte mirë. Ato dy gola ishin dallimi”.
Trajneri zviceran e pranoi se gabimet në mbrojtje i kushtuan Kosovës.
“Paguan për gabimet tona. Pjesa e dytë nuk ishte aspak e mirë dhe nuk besonim. Skuadrës i mungoi zjarri dhe nuk pati zgjidhje në pjesën e dytë. Ishte e vështirë për ne të përballeshim me lojtarët fizik të tyre, sidomos Ibrahimovic, i cili është shumë i fuqishëm dhe është e vështirë t’ia marrësh topin. Duke e parë këtë ekip kaq të fortë nuk ishte edhe mbrojtje e keqe e jona. Mund të themi se Suedia ishte e fortë për ne sot”, shtoi ai.
Në lidhje me ndeshjen e ardhshme kundër Spanjës të mërkurën, ai theksoi: ”Nuk mendoj se tani është koha të mendoj (për ndryshimin e portierit). Nuk kërkoj përgjegjësi vetëm për një gabim. Më duhet të mendoj qartë por problemi është se me cilët lojtarë të luajmë. Nuk është e lehtë të ndryshohet formacioni tani kundër një ekipi si Spanja, veçanërisht për shkak të mungesave në mbrojtje. Duhet të jemi të qetë dhe ta përgatisim ekipin për këtë ndeshje.”