Challandesi dhe Rashica: Duam tri pikë ndaj Bullgarisë

10 qershor 2019 | 11:31

Kosova e zhvillon sonte ndeshjen e tretë kualifikuese për Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’, kurse trajneri Bernard Challandes dhe futbollisti Milot Rashica kanë paralajmëruar se ‘Dardanët’ kërkojnë tri pikë ndaj Bullgarisë. Ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve e zhvilluar më 25 mars në ‘Fadil Vokrri’ kishte përfunduar 1-1. 

Trajneri Bernard Challandes ka thënë se Përfaqësuesja e Kosovës ka respekt për Bullgarinë, por se synimi i “Dardanëve” në këtë ndeshje është fitorja. Tekniku zviceran nuk e ka përjashtuar mundësinë që të luajë edhe me tre sulmues në këtë ndeshje. Ndeshja në mes të Bullgarisë dhe Kosovës zhvillohet në “Vasil Levski” nga ora 20:45, kurse është e vlefshme për Grupin A.

“Kemi respekt për Bullgarinë, por ne do të luajmë për fitore. Bullgaria ka bërë ndryshime së fundmi, por është ekip i fortë. Ne do të përpiqemi ta bëjmë lojën tonë. Taktika jonë nuk do të ndryshohet. Nuk e ndryshoi lojën dhe t’u them lojtarëve që të mbrohen. Ideja është që të fitojmë duke sulmuar ndoshta me 4-3-3, ose 4-2-3-1”, ka thënë Challandes. “Të gjithë jemi të mërzitur që Zeneli është jashtë loje. Duhet të luajmë edhe për të. Ai duhet të qëndrojë i qetë për disa ditë dhe më pas do t’i bëjnë edhe një herë testet mjekësore dhe do të vendosin nëse duhet të operohet. Klubi do të vendosë se çka është më e mira për të”, ka shtuar Challandes.

Ylli i Werder Bremenit, Milot Rashica, që shënoi golin në ndeshjen ndaj Malit të Zi, ka thënë se Kosova si në çdo ndeshje tjetër luan për fitore. “Si në çdo ndeshje, edhe në këtë ndeshje do të tentojmë t’i fitojmë tri pikë. Atmosfera është e mirë. Do të ishte edhe më e mirë nëse do të kishim fituar ndeshjen e kaluar. Jemi të përqendruar dhe do ta japim maksimumin për t’i fituar tri pikë”, ka thënë Rashica. Për ndeshjen që zhvillohet sonte foli edhe trajneri i bullgarëve, Krassimir Balakov. Ai ka thënë se Bullgarisë i duhet fitoja nëse dëshiron t’i ruajë gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian. “Do të jetë një ndeshje tejet e vështirë, por ne kemi nevojë ta fitojmë atë nëse duam të kemi ende gjasa për kualifikim. Kosova nuk i frikësohet askujt. Unë e njoh trajnerin e tyre mjaft mirë”, ka thënë Balakov.

Grupi A

20:45 Bulgaria – Kosova
20:45 Republika e Çekisë – Mali i Zi

Grupi B

20:45 Serbia – Lituania
20:45 Ukraina – Luksemburg

Grupi D

20:45 Danimarkë – Gjeorgjia
20:45 Irlanda – Gjibraltar

Grupi F

20:45 Ishujt Faroe – Norvegjia
20:45 Malta – Romania
20:45 Spanja – Suedia

Grupi G

20:45 Maqedonia Veriore – Austria
20:45 Latvia – Sllovenia
20:45 Polonia – Izrael

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të zhvillojë…