Challandesi: Dua maksimumin kundër Gjibraltarit
Përzgjedhësi Bernard Challandes ka kërkuar nga futbollistët “dardanë” të angazhohen maksimalisht në miqësoren ndaj Gjibraltarit pasi kjo lojë është një test i mirë për ndeshjen kualifikuese që Kosova e zhvillon më 14 tetor ndaj Malit të Zi. “Ndeshja ndaj Gjibraltarit nuk është vetëm një miqësore e thjeshtë, por do të jetë një ndeshje për t’u përgatitur ndaj Malit të Zi. Çdo lojtar duhet ta japë maksimumin në këtë miqësore pavarësisht a luan vetëm në pjesën e parë apo pak minuta”, ka thënë trajneri zviceran.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit e cila zhvillohet sonte (e enjte) nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri Bernard Challandes në konferencën e fundit para kësaj miqësore u ka dërguar një porosi të gjithë lojtarëve se, pavarësisht a paraqiten në fillim apo në pjesën e dytë, duhet ta japin maksimumin, pasi kjo është ndeshje shumë e rëndësishëm për “dardanët”.
“Ndeshja ndaj Gjibraltarit nuk është vetëm një miqësore e thjeshtë, por një ndeshje për t’u përgatitur ndaj Malit të Zi. Çdo lojtar duhet ta japë maksimumin në këtë miqësore pavarësisht a luan vetëm në pjesën e parë apo pak minuta. Nëse një lojtar nuk e jep maksimumin, atëherë do të ketë probleme me mua, sepse kjo ndeshje është shumë e rëndësishme”, ka thënë Challandesi.
Për miqësoren ndaj Gjibraltarit në konferencë për medie foli edhe mesfushori Angel Rashkaj. Ai e ka vlerësuar të rëndësishme këtë përballje, sidomos për lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta në skuadrat e tyre. “E dimë që s’do të jetë e lehtë. Është skuadër e mirë dhe ka lojtarë që luajnë në ligat më të forta evropiane. Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, sepse kemi lojtarë që nuk kanë luajtur me skuadrat e tyre, por që do të kenë mundësi të luajnë ndaj Gjibraltarit. Duhet të jemi të fokusuar për çdo situatë”, ka thënë Rashkaj, i cili është deklaruar edhe për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2020” që Kosova e zhvillon katër ditë më vonë ndaj Malit të Zi. “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta luajmë lojën tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në çdo ndeshje. Kjo është pika kryesore. Nuk mendoj se do të jetë një ndeshje e lehtë, duhet të luajmë si kundër Anglisë”, ka shtuar Rashkaj.
Test të rëndësishëm për miqësoren ndaj Gjibraltarit e ka vlerësuar edhe kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani. Portieri i Torinos ka thënë se në këtë ndeshje mundësi e mirë do të jetë që të provohen edhe lojtarët që në ndeshjet paraprake nuk kanë pasur shumë hapësira. “Po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është si një finale për ne. Por, fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet ta shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”, ka deklaruar Ujkani.
/Veton ZYMBERI/