Challandesi: Duhet të fitojmë ndaj Malit të Zi

08 tetor 2019 | 11:02

Fitorja është synim i Kosovës në ndeshjen ndaj Malit të Zi për kualifikimet në Kampionat Evropian.

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë të hënën në konferencë për medie, se “Dardanët” duhet të shënojnë fitore në ndeshjen kualifikuese ndaj Malit të Zi nëse dëshirojnë që ta vazhdojnë ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Kosova kualifikuesen ndaj malazezëve e zhvillon më 14 tetor, por paraprakisht e zhvillon më 10 tetor miqësoren kundër Gjibraltarit. Challandesi e vlerësoi të rëndësishme edhe këtë përballje, sepse synon që t’ua japë rastin edhe disa futbollistëve të rinj.

“Po e fillojmë një javë që është shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja me Gjibraltarin është një mundësi për t’i qartësuar disa gjëra në kokën time, njëherësh do të jetë rast i mirë që t’u japim hapësirë për lojë futbollistëve që kanë luajtur më pak. Ndërkaq, sa i përket ndeshjes me Malin e Zi, ajo është shumë e rëndësishme, sepse ka një ekip shumë të mirë. Duhet të fitojmë ndaj tyre për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim”, ka thënë Challandesi.

Trajneri zviceran ka kërkuar që të largohet vëmendja nga ajo se Kosova është ekip më i mirë se Mali i Zi, por futbollistët duhet të vazhdojnë të angazhohen dhe luftojnë nëse mendojnë për fitore. “Përballja me Malin e Zi është e rrezikshme. Lojtarët i kanë merituar komplimentet për punën e bërë deri tash, por kjo paraqet rrezik për ekipin. Nuk duhet të mendojmë se jemi më të mirët, por duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Tash është koha të luftojmë, që kjo mundësi të bëhet objektiv dhe realitet, pra kualifikimi”, ka shtuar ai.

Lajm i mirë për trajnerin dhe ekipin përfaqësues të Kosovës është rikthimi nga lëndimi i Milot Rashicës dhe lojtarëve të tjerë. “Rashica e ka rikthyer besimin dhe ka luajtur 90 minuta. Ai është shumë i rëndësishëm për ne. Halimi është i suspenduar, kurse Shala ka një problem të vogël dhe do ta shohim. Sa i përket Benjamin Kolollit, jam i lumtur që ai luajti 30 minuta në ndeshjen e fundit për ekipin e vet dhe që tani do ta kemi në dispozicion. Celina e kishte një javë të vështirë dhe të lodhshme, duhet të shohim”, ka deklaruar Challandes.

Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi stërvitjen e parë të hënën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit ka bërë me dije se është duke…