Challandesi flet për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Malit të Zi
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në një konferencë për media ka folur për ndeshjen miqësore me Gjibraltarin dhe ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi.
Challandes ka thënë se do të jetë një javë shumë e rëndësishme, ku ndeshja miqësore, siç thekson ai, do t’i jap atij më shumë qartësime.
“Do të jetë një javë shumë e rëndësishme. Ndeshja me Gjibraltarin do të më jap më shumë qartësime. Është ndeshje që do të kenë rastin të luajnë disa lojtarë që nuk kanë pas hapësirë të madhe as në klubet e tyre”, raporton KTV.
Gjithashtu, ai ka theksuar se “ndeshja me Malin e Zi është më e rëndësishmja deri më tani dhe po ashtu mund të jetë shumë e rrezikshme për Kombëtaren”.
“Nëse do të them që ndeshja me Malin e Zi është më e rëndësishme deri me tani, atëherë trajneri i juaj nuk është mirë në kokë. 3 pikë na duhen jashtëzakonisht shumë ndaj Malit të Zi për të ëndërruar. Kjo ndeshje mund të jetë e rrezikshme për ne. Mali i Zi ka ekip të mirë dhe nëse dikush nga lojtarët mendon ndryshe atëherë ai ka probleme me veten”, shtoi ai.
Përzgjedhësi Challandes, po ashtu, ka thënë se ndeshja me Malin e Zi mund të jetë e rrezikshme edhe në aspektin mental.
“E kam parë ndeshjen e fundit të Malit të Zi. Rezultati në atë ndeshje nuk ka qenë real nga ajo që ka treguar Mali i Zi i cili ka pasur disa raste të mira shënimi. Kjo ndeshje do të jetë e rrezikshme edhe në aspektin mental”, tha ai duke shtuar se “Kemi marr komplimente të shumta pas fitores kundër Çekisë dhe ndeshjes me Anglinë. Kjo mund të jetë e keqe në aspektin mental. Nuk jam Mourinho e Guardiola, por e di se komplimentet e shumta mund të jenë të rrezikshme”.
Challandes, po ashtu, ka folur edhe për vendimin për mos ftesën e futbollistit të Trabzonsporit, në Turqi, Donis Avdijaj.
“Unë marr vendime. Vendimi për mos ftesën e Avdijajt është i imi dhe unë bazohem në disa gjëra”, ka thënë Challandes.
Për lavdërimin e trajnerit të Malit të Zi: “Kosova është Brazili i Evropës”, Challandes mendon se ky mund të jetë një provokim.
“E kam parasysh se çfarë ka thënë trajneri i Malit të Zi. Në një prej prononcimet e tij ka thënë se Kosova është Brazili i Evropës. Ky mund të jetë provokim nga ana e tyre. Arsyeja pse kërkoj kujdes është se Mali i Zi ka ekip shumë të mirë. Ne akoma duhet të jemi me këmbë në tokë dhe jemi në rrugëtim e sipër dhe duhet të kemi kujdes”.