Challandesi ‘harron’ suksesin në Ligën e Kombeve: Gjithçka fillon nga zero
Trajneri i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, duket se e ka ‘harruar’ shumë shpejt suksesin historik në Ligën e Kombeve, pasi para ndeshjeve miqësore ndaj Danimarkës dhe kualifikueses ndaj Bullgarisë, ka thënë se gjithçka për “Dardanët” fillon nga zero.
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, të hënën në konferencë për medie ka vlerësuar se për “Dardanët” tash fillon një cikël i ri, pas suksesit historik në Ligën e Kombeve. “Është kënaqësi që të jem këtu dhe që do të fillojmë një cikël të ri. Për mua është një sfidë mjaft e vështirë, pasi tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër. Kemi pasur sukses në Ligën e Kombeve dhe në miqësore, por e dimë saktësisht çfarë na pret. Nuk luajmë më kundër rivalëve të Ligës D, por ndaj ekipeve nga Liga A dhe B, që nënkupton se janë ekipe të kategorisë krejt tjetër. Kjo është një tjetër garë, një tjetër jetë për skuadrën tonë. Për mua është një fazë interesante për ta parë zhvillimin e ekipit tonë dhe për ta përsëritur edhe një herë. Vitin e kaluar kemi pasur sukses, por tani gjithçka fillojmë nga zero”, ka thënë Challandes.
Tekniku zviceran, duke folur për ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës, e cila zhvillohet më 21 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka thënë se dëshiron të provojë tri gjëra ndaj një kundërshtari që është në dhjetëshen më të mirë të FIFA-s. “Për ne është mjaft e mirë të luajmë me një ekip të tillë. Është e rëndësishme që i luajmë dy ndeshjet këtu. Tri qëllime ndaj Danimarkës janë: se si mund të mbrohemi ndaj një ekipi të fuqishëm ofansiv. Synimi i dytë është se si mund ta mbajmë dhe qarkullojmë topin. Synimi i tretë është si të krijojmë raste dhe të ndërtojmë aksione. Megjithatë, fokusi do të jetë te Bullgaria”, ka shtuar ai.
Në dy ndeshjet e marsit Kosova nuk mund të llogaritë në shërbimet e mesfushorit të Lazios, Valon Berisha. Ndaj Danimarkës mungon edhe mesfushori tjetër, Hekuran Kryeziu, i cili pritet të rikthehet për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Bullgarisë. Trajneri Challandes beson se Bersant Celina do të jetë një zëvendësues ideal për Valon Berishën. “Valoni ka një muaj që nuk ka luajtur dhe përkundër dëshirës së madhe që ka, është e pamundur të jetë me ne. Edhe klubi nuk e ka lejuar grumbullimin në përfaqësuese duke e parë situatën fizike të tij. Ne duhet të fokusohemi te lojtarët e tjerë dhe aty është Bersant Celina, i cili ka pasur paraqitje të mira me Swansean dhe mund ta marrë atë pozicion pa problem. Ndërsa sa i përket Hekuranit, jemi në kontakt dhe në pritje të testeve mjekësore. Ndaj Danimarkës mendoj se është shumë shpejt, por besoj se do të jetë në ndeshjen e dytë ndaj Bullgarisë”, ka deklaruar ai.
Gjatë javës së fundit është folur shumë për lojtarët që do të përfaqësojnë Kosovën në të ardhmen, përfshirë emrat si Florent Hadergjonaj dhe Meritan Shabani. Lidhur me këtë temë trajneri zviceran ka konfirmuar se ekzistojnë kontaktet me këta dhe shumë lojtarë të tjerë. “Kam punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe kam bërë kontakte me disa lojtarë që kanë potencial për t’iu bashkuar Kosovës në të ardhmen, por duhet të kuptojmë se nuk është e lehtë edhe për ta që ta marrin vendimin, se ndikon edhe në tërë karrierën e tyre. Kemi pasur kontakt me Hadërgjonajn, Rexhbecajn, Shabanin, Muslijajn si dhe Vallcin”, ka deklaruar Challandes. Në fund numri një i përfaqësues foli edhe për lojtarët e Superligës, duke konfirmuar se gjasat gjithmonë ekzistojnë dhe se dera është e hapur por, sipas tij, për t’u ftuar në përfaqësuese një lojtar duhet të ketë kualitet e jo të ftohet vetëm për t’i përmbushur ambiciet e dikujt apo të motivohen të tjerët.
/Epoka e re/