Challandesi ka dy fjalë për Valon Behramin
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është shfaqur në konferencë për media para ndeshjes me Lituaninë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, të mërkurën nga ora 20:45.
Ai foli për shumë gjëra, gjithashtu pati disa fjalë edhe për kritikat e mesfushorit shqiptar, Valon Behrami.
“Është shumë njeri i mirë. Por me fol për teknikë, nuk besoj që ai mundet me ngritë nivelin. Ai teknikisht nuk i din shumë sene, shumë sene nuk i njeh, shumë sene nuk i studion. Është motivues i madh, të jep energji, shpirt. Por sot taktikisht e teknikisht duhet me qenë i përgatitur. E ka edhe shkollën e Zvicrës, dhe ata mendojnë që i dinë krejt dhe tjerët nuk dinë asgjë”, ishin fjalët e Behramit ditë më parë që kanë ngjallur edhe reagimin e trajnerit të Kombëtares së Kosovës.
“Ndoshta do të kishte qenë më mirë që ai të vij dhe t’i thotë këto gjëra në katër sy, t’i shpreh mendimet e veta, megjithatë unë i respektoj, nuk kam asgjë për të shtuar për ato që i ka thënë ai. Është e qartë ne kemi punuar bashkë, unë kam qenë trajner i tij te të rinjtë e Zvicrës, ndoshta ndërkohë kam mësuar diçka”, u shpreh Challandes.
“Ndoshta unë kam qenë trajner me fat që të arrij gjithë ato suksese pa pasur lidhje me pjesën taktike. Mund të htem se së bashku kemi pasur rezultate të mira, nuk ma merr mendja që mund të arrihen lehtë pa pasur njohuri taktike”.
Kosova do të përballet të mërkurën në miqësore me Lituaninë, para përballjeve me Suedinë dhe Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.