Challandesi: Miqësoret, rast i mirë për lojtarët e rinj
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë se miqësoret e muajit qershor duhet të shfrytëzohen nga lojtarët e rinj për të dëshmuar se vërtet e meritojnë të jenë pjesë e “dardanëve”. Ai ka bërë me dije se Ibrahim Dreseviq dhe Arjanet Muriç mungojnë në këto ndeshje dhe zëvendësuesit e tyre janë Betim Halimi dhe Mirlind Daku.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i zhvillon dy lojë miqësore në muajin qershor kundër San Marinos dhe Maltës. Të premten në konferencë për media është paraqitur shefi i shtabit teknik në përfaqësuesen “dardane”, Bernard Challandes, i cili ka bërë me dije se për këto dy ndeshje ka ftuar 23 lojtarë, përfshirë disa emra të rinj. Trajneri zviceran dëshiron ta shohë potencialin e këtyre futbollistëve se a mund të llogarisë në ta për të ardhmen. “Për këto dy miqësore kam grumbulluar 23 futbollistë dhe nga kjo listë lojtarët e rinj do të kenë mundësi ta tregojnë veten, por edhe ne do të shohim se sa mund të llogarisim tek ata në të ardhmen”, ka thënë Challandes.
Dy futbollistë do të mungojnë në këto dy ndeshje edhe pse në listën e bërë publike figurojnë emrat e tyre. Bëhet fjalë për mesfushorin Ibrahim Dreseviq i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19, derisa Arjanet Muriç është i sëmurë dhe në vend të tyre është ftuar portieri Betim Halimi dhe sulmuesi më i mirë në Kosovë, Mirlind Daku. “I kemi zgjedhur zëvendësuesit e Muriçit dhe Dresheviqit. I kemi marrë dy lojtarë të rinj, Mirlind Daku dhe Betin Halimi”, ka shtuar ai.
Përzgjedhësi Challandes foli edhe për rastin e Andi Zeqirit dhe futbollistëve të tjerë që po zgjedhin kombëtarët e tjera për t’i përfaqësuar.
Sipas tij, federata dhe ai si trajner duhet të tregojnë se kanë interes për shërbimet e tyre, por më pas janë futbollistët që vendosin. “Nuk jam i kënaqur aspak që ai është te Zvicra sepse Andi është një lojtar i së ardhmes për ne. Ende asgjë nuk ka përfunduar, por mbetet të shihet. Është vendimi i Andit në fund. Mirëpo, kemi rastin e Albian Ajetit që zgjodhi Zvicrën, por tani nuk është në listë për Evropian. Ky është vendim i tij, tani për tani. Jo vetëm për rastin e Andit, por edhe lojtarët e tjerë që janë në të njëjtën pozitë. Ne si federatë dhe unë si trajner duhet t’u tregojmë atyre se i duam këto dhe ta tregojmë interesin tonë. Por, ata duhet të vendosin pastaj por, për të luajtur për Kosovën, ata duhet të ndiejnë krenari dhe nder. Ne nuk i kemi ndërmend t’i lusim ata dhe t’u biem në gjunjë pasi ne jemi Kosova dhe kemi ekipin tonë”, ka deklaruar Challandes.
Sa iu përket dy futbollistëve që u pensionuan kohët e fundit nga ekipi përfaqësues, sulmuesi Atdhe Nuhiu dhe mesfushori Anel Rashkaj, Challandes u ka shprehur falënderimet më të sinqerta për kontributin e tyre, teksa ka thënë se shpreson që në ndeshjet e shtatorit do të kenë mundësi që t’i ftojnë ata të përshëndeten para tifozëve. Challandesi ka folur edhe për kritikat e anësorit Bernard Berisha. Trajneri zviceran ka bërë me dije se ka zgjedhur katër lojtarë me potencial për pozicionet e sulmuesve të krahut dhe janë lojtarë që ai llogarit më shumë për ndeshjet e shtatorit, tetorit dhe nëntorit. “Dardanët” kanë nisur të premten në mbrëmje përgatitjet në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse miqësoren e parë e luajnë më 1 qershor në kryeqytet kundër San Marinos.
Më pas do të udhëtojnë në Austri, ku më 4 qershor do të ballafaqohen me Maltën. Ndërkaq, për dy ndeshjet e tjera miqësore kundër Guinesë dhe Gambisë në Antalya, përzgjedhësi Challandes do ta publikojë listën e futbollistëve ditën e hënë.
/Veton ZYMBERI/