Challandesi: Mund të arrijmë kualifikimin, por na duhet një lojë e përkryer
Përfaqësuesja e Kosovës nesër në mbrëmje përballet me Çekinë në “Doosan Arena” në qytetin Plzen.
Përzgjedhësi i “dardanëve”, Bernard Challandes, ka thënë se në fillim të kualifikimeve Kosova ishte e fundit, por që tash është në garë për kualifikim. Strategu zviceran e ka mohuar që të ketë presion në skuadrën përfaqësuese që ai e drejton.
“Mendoj se ne e dimë ekzakt se kush jemi, se kush është Çekia. Gjatë shortit, ne e dinim se e para dhe ekipi më i fortë ishte Anglia, pastaj e dyta Çekia, e treta Bullgaria dhe i katërti Mali i Zi, kurse Kosova ishte e fundit. Ne nuk ndihemi në presion, e vlerësojmë faktin se kemi arritur deri këtu. E dimë se na pret një lojë ngazëlluese. Kjo është një situatë e mrekullueshme për ne”, ka thënë Challandes.
“E kemi një mundësi dhe mund ta arrijmë kualifikimin, por duhet ta bëjmë një lojë e përkryer, një lojë të jashtëzakonshme ndaj një kundërshtari mjaft të fuqishëm”, ka shtuar Challandes.