Challandesi: Na duhet një lojë e çmendur për fitore ndaj Çekisë
“Dardanët” e vazhdojnë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian sot (e shtunë), kur përballen me Republikën Çeke. Kosovës në këtë ndeshje do t’i mungojnë Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli. Përzgjedhësi Bernard Challandes ka kërkuar një lojë të çmendur për t’i siguruar pikët e plota nga kjo ndeshje, kurse një gjë të tillë e ka kërkuar edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të premten e përfundoi stërvitjen e pestë dhe të fundit para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian ndaj Çekisë, e cila zhvillohet sot (e shtunë) nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në konferencën për medie përzgjedhësi Bernard Challandes ka kërkuar që “Dardanët” të zhvillojnë një ndeshje të çmendur në mënyrë që të arrijnë fitore ndaj Republikës Çeke dhe në këtë rast t’i ruajnë shpresat për kualifikim në “Euro 2020”. Trajneri zviceran pati fjalë të mira për kundërshtarin e radhës, i cili ka dy fitore në ndeshjet kualifikuese.
“Çekia i ka dy fitore dhe ka një ekip të fortë dhe për ne nuk do të jetë e lehtë. Duhet të bëjmë një lojë të çmendur sepse nuk mund të luajmë një lojë normale. Është një rast i mirë për ekipin që të luftoj dhe dua që të funksionojmë si ekip. Shpresoj ta kemi gati skuadrën për ndeshjen ndaj Çekisë. Kur flas për ndeshje të çmendur e kam për pasionin dhe vullnetin. E kam për të qenë gjithmonë i gatshëm për aksion. Është një mentalitet që gjithmonë kërkohet të jesh gati për të shënuar dhe për t’u mbrojtur në çdo çast. Gjithashtu, kërkojmë një mbështetje të çmendur edhe nga publiku pasi na duhet fitorja”, ka thënë Challandes, duke mos pranuar ta zbulojë formacionin.
Trajneri nga Zvicra nuk e përjashtoi mundësinë që në këtë ndeshje të jetë titullar Elbasan Rashani, i cili ka zhvilluar disa lojëra të mira. Krah përzgjedhësit në konferencë për medie ishte edhe futbollisti Mërgim Vojvoda.
Mbrojtësi i djathtë i “dardanëve” ka thënë se Çekia është një skuadër e fortë, por se Kosova në çdo ndeshje hyn për fitore. “E dimë që kemi mungesa, por ekipi është përgatitur. Në çdo ndeshje duhet të futemi për t’i fituar tri pikë. Është e rëndësishme të shënojmë gol. Kemi treguar se luajmë shumë mirë dhe japim maksimumin. Çekia është ekip shumë i fortë, por jemi përgatitur dhe i kemi studiuar pikat e saj të dobëta. Ndërsa konkurrenca në skuadër është gjithmonë e mirë, pasi na shtyn ta japim maksimumin”, ka thënë Vojvoda.
Për ndeshjen e Grupit A që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka folur edhe kapiteni i Çekisë, Marek Suchy. Ky i fundit ka paralajmëruar se kanë ardhur në Kosovë për fitore. Megjithatë, Suchy ka pranuar se “dardanët” kanë një skuadër cilësore dhe se duhet të jenë shumë rë kujdesshëm në këtë ndeshje. “Presim ta zhvillojmë një lojë ashtu siç dëshirojmë dhe mos të ndikohemi nga asgjë. Secila lojë është shumë e rëndësishme. Ne kemi ardhur për fitore dhe duam fitore. Kosova e ka një sulm shumë cilësor dhe duhet të jemi të kujdesshëm pasi mund të na ndëshkojnë”, ka thënë Suchy.
Kosova renditet në pozitën e tretë me 5 pikë, kurse Çekia është e dyta me 6 pikë.
/Veton ZYMBERI/