Challandesi tregon kush është meritori për sukseset e Kosovës
Viti 2019 po vlerësohet në Kosovë vit i sportit, konkretisht futbollit përshkak se Përfaqësuesja e Kosovës ka shkëlqyer në Ligën e Kombeve, por paraqitje të mira pati edhe në kualifikimet për Kampionatin Evropian.
Bernard Challandesi po konsiderohet më meritori për rezultatet pozitive të Përfaqësueses. I pyetur rreth kësaj, strategu zviceran për gazetën “Epokën e re”, ka deklaruar: “Jam i lumtur për këtë vit dhe për këtë “shpërblim” gjithashtu. Është nder i madh për mua ta pranoj këtë vlerësim, por për mua gjithmonë është e njëjta, suksesi i skuadrës në rend të parë. Mund të them se në fillim të aventurës sime me Përfaqësuesen kam folur për mundësinë e suksesit, por vetëm si ekip. ‘Ok’. Unë jam trajneri dhe pranoj vlerësime pozitive, por për mua është e rëndësishme të punojmë së bashku dhe më të rëndësishmit janë lojtarë të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer, kanë bërë lojëra të mira dhe praktikisht ne kemi zgjedhur një filozofi të mirë të lojës dhe të gjithë kanë qenë në pajtim me këtë filozofi që të punojmë së bashku. Për shembull, lojtarët ofensivë të punojnë në grup dhe tani kemi këtë rezultat. Mendoj se një trajner i mirë është një trajner që ka lojtarë të mirë në ekip, ka nevojë për ta dhe për këtë më duhet ta falënderoj edhe Federatën e Futbollit që na ka përkrahur për gjithçka. Falënderoi edhe stafin tim për punën e mirë. Pra, kjo është arsyeja e suksesit tonë”.
/Veton ZYMBERI/