
Challandesi vazhdon me Kosovën
Bernard Challandes do të vazhdojë t’i prijë Përfaqësueses së Kosovës deri në vitin 2022.
Marrëveshja e re është arritur të enjten në takimin që kryetari Agim Ademi së bashku me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu e kanë zhvilluar me trajnerin zviceran, e ku palët u pajtuan që ta vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët edhe për dy vjet.
“Kontrata e re është për periudhën 2020-2022. Deri te marrëveshja e re erdhi si rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura të ‘dardanëve’ në periudhën 2018-2020, derisa me punën e trajnerit zviceran kanë qenë të kënaqur të gjithë. Në anën tjetër, edhe Challandesi është i kënaqur me punën, kushtet dhe gjithçka që ofron FFK-ja. Tani përqendrimi është te dy ndeshjet e radhës kundër Moldavisë dhe Greqisë, me shpresë dhe besim për suksese të reja”, thuhet në njoftimin e FFK-së.