Chelsea e mposhti Newcastlen
Chelsea ka mposhtur pa shumë probleme Newcastle në raundin e katërt të FA Cup me rezultatin 3-0. Ishte një pasdite e bukur në Londër teksa të besuarit e Contes nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren duke dominuar kundërshtarin në çdo cep të fushës dhe duke merituar kalimin në raundin e pestë të kupës.
Megjithëse ndeshja filloi me ritme të ngadalta pasi vendasit e morën shtruar, goli i Batshuayi në minutën e 31’ zhbllokoi rezultatin pas një asistimi të bukur të Marcos Alonso, raporton “Telesport”. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë sulmuesi belg shënoi golin e dytë duke vendosur ekipin e tij në një situatë të mirë për kualifikimin.
Në pjesën e dytë Blutë nuk e ulën ritmin dhe ishte Marcos Alonso ai që vulosi fitoren me një gol fantastik nga 25 metra. Mbrojtësi ka qenë një nga më të mirët për Conten edhe këtë sezon.