Chelsea, e paforcë ndaj Cityt
Kampionët e ardhshëm kanë mposhtur kampionët në fuqi sikur të ishin një skuadër inferiore e kategorisë së dytë. Manchester City ka dominuar për 90 minuta në ndeshjen ndaj Chelseat në “Etihad”, kurse goli i Bernardo Silvas vendosi gjithçka.
Ishte një sfidë e turpshme për vizitorët, të cilët thuajse nuk kanë bërë asnjë goditje drejt portës së Ederson, i cili ishte më tepër një vëzhgues këtë ndeshje sesa një portier. City e filloi vrullshëm duke dominuar mbajtjen e topit. Loja zhvillohej vetëm në gjysmëfushën e Chelseat, që mbrohej me 10 lojtarë, teksa vetëm Hazard luante përpara dhe frustrohej nga minuta në minutë. Atë që City nuk e arriti në pjesën e parë megjithëse kishte disa mundësi të mira, e bëri pas vetëm 35 sekondave të pjesës së dytë. Aguero pason për De Bruyne i cili jep një top të bukur nga fundorja dhe gjen Bernardo Silvan që e ka shumë të thjeshtë ta shtyjë topin në rrjetë.
Chelsea nuk reagoi aspak pas golit të pësuar dhe i vetmi ekip në fushë ishte City. Blutë bënë disa zëvendësime në sulm por asgjë nuk ndryshoi. Qytetarët kanë treguar se janë kampionët e ardhshëm të Premier Ligë.