Chelsea, fituese e Ligës së Kampionëve

29 maj 2021 | 22:57

Skuadra e Chelseat është fituese e Ligës së Kampionëve për edicionin 2020/21, pasi në finale e mposhti skuadrën e Manchester Cityt me rezultat 1-0.

Chelsea ka rrezikuar e para nëpërmjet sulmuesit gjerman Timo Werner, i cili e shpërdoroi një mundësi të artë në minutën e 15-të, ndërkohë që pak më pas sërish e dërgoi topin në duart e portierit Ederson.

Në krahun tjetër Phil Foden është ai që shpërdoron një mundësi shumë të mirë në minutën e 29-të. Blutë e Londrës humbën Thaigo Silvën për shkak të një dëmtimi në minutën e 39-të, por do të gjenin më pas shumë shpejt golin.  Në minutën e 42-të, Havertz merr një top fantastik nga Mount, driblon portierin dhe më pas e ka të thjeshtë për ta shtyrë sferën në kuadrat.

City u mundua të reagojë veçanërisht në fillimin e pjesës së dytë, por e ka të vështirë krijimin e aksioneve të rrezikshme. Misionin ua bëri më të vështirë edhe dalja nga fusha për shkak të një dëmtimi e De Bruyne. Në të 73-tën, Pulisiq bën më të vështirën pas një pasimi nga Havertz, duke e dërguar topin jashtë portës. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, teksa Chelsea rrëmbeu trofeun e dytë në historinë e vetë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata për Krime Lufte në Gjakovë, në mbrëmjen e së…