Chicago mposhti Toronton, fiton edhe Oklahoma
Janë luajtur dy ndeshjet e radhës së fazës “play-in”, ku në fushë kanë zbritur skuadrat e renditura në vendet 9-10 në Konferencat përkatëse. Kështu, në Lindje, ekipi i Chicago Bulls mundi 109-105 Toronto Raptors jashtë fushe, në një ndeshje me rivalitet deri në fund.
Ekipi kanadez nuk përfitoi nga faktori fushë edhe pse Siakam realizoi 32 pikë, duke u eliminuar nga gara për titull. Për Chicago u dallua LaVine me 39 pikë. Bulls, në ndeshjen tjetër të “play-in”, do të përballen me Miami Heat për të siguruar biletën e fundit në “play-off” në Lindje.
Në Perëndim, ekipi i Oklahoma City Thunder fitoi 123-118 ndaj New Orleans, në një ndeshje spektakolare dhe plot emocione. Për Oklahomën u dalluan Shai me 32 pikë e Giddey me 31 pikë, teksa ndeshjen tjetër të “play-in” do të luajnë ndaj Minnesota, ndërsa New Orleans eliminohet.