Chiellini: Do të kishte qenë shumë më mirë sikur Ronaldo të largohej më herët
Giorgio Chiellini ka thënë se Juventusi pagoi për largimin e vonshëm, të cilin e quajti tronditës, të Cristiano Ronaldos në verë, duke e pranuar se do të kishte qenë shumë më mirë për gjigantin italian sikur portugezi të largohej më herët.
Në njërin prej transferimeve më të mëdha në historinë e Premierligës, sulmuesi 36-vjeçar u kthye në vendin ku bëri emër në ditët e fundit të afatit kalimtar në verë.
Superylli portugez nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me Manchester Unitedin, me mundësi vazhdimi për edhe një vit tjetër.
Juventusi kishte shumë pak ditë kohë për ta gjetur një zëvendësues për të dhe si pasojë sezoni i ri në Serie A për skuadrën e Massimiliano Allegrit nisi shumë keq.
Pas disa humbjeve dhe barazimeve në ndeshjet e para, bardhezinjtë e kanë marrë veten tani dhe i kanë fituar katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Mbrojtësi i Juves Chiellini foli për largimin e Ronaldos nga Torino të mërkurën.
“Ne mbërritëm në një pikë në marrëdhënien tonë kur Cristiano kishte nevojë për synime të reja dhe për një ekip i cili do të luante për të, sepse kur ai gjen ekip të tillë është vendimtar”, tha Chiellini.
“Këtu në Juventus u lind një program rifillimi dhe ripërtëritjeje. Ronaldo do të kishte qenë vlerë e shtuar nëse do të kishte qëndruar, por është normale që ai mendoi për të tashmen dhe jo për të ardhmen”, shtoi ai.
“Do të kishte qenë më mirë për ne nëse ai do të ishte larguar më herët. Ne paguam për këtë, një tronditje, ne paguam diçka për këtë në aspektin e pikëve”, nënvizoi ai.