Chiellini: Juve tregoi se është skuadra më e fortë në Itali
Giorgio Chiellini u rikthye të luajë pas një muaji mungesë për Juventusin, me kapitenin që në fund të ndeshjes me Interin nuk ngurron që të thumbojë zikaltrit, duke u nisur nga paraqitja e bërë në pjesën e dytë nga skuadra e tij.
“E vërteta është që duhet ta largojmë nga trupi mendimin se si mund të kishin shkuar ndryshe gjërat, pasi kjo është mënyra e vetme për të zbritur në fushë i përqendruar. Ne jemi me fat që kemi mundësi të luajmë këto ndeshje të mëdha, edhe kur gjithçka është mbyllur, por pas një pjese të parë të luajtur pa shumë qejf, në të dytën u zgjuam dhe vendosëm të luajmë siç dimë të bëjmë ne. Doli në pah Juventusi i vërtetë, që e vrau kampionatin, por edhe ndaj Interit tregoi se cila ishte skuadra më e fortë. Vetë Interi e kuptoi se kush është më i forti në Itali gjatë pjesës së dytë, kur e patëm mundësinë që edhe ta përmbysnim ndeshjen”, ka thënë Chiellini.
“Çfarë i thamë njëri-tjetrit në dhomat e zhveshjes? Asgjë të veçantë, thjesht që të fillojmë të luajmë siç dimë ne. Ronaldo? Me Cristianon e nis gjithmonë ndeshjen me 1-0. Është një jashtëtokësor dhe do na ndihmojë që të fitojmë ende shumë në të ardhmen”, ka deklaruar ai.