Chisora kërcënon Furyn: Këtë herë e mposhti
Boksieri britanik Dereck Chisora mendon se në përballjen e 3 dhjetorit ndaj Tyson Furyt mund të fitojë dhe të shpallet kampion bote në peshën e rëndë (kategoria WBC).
Kjo do të jetë sfida e tretë mes dy boksierëve britanikë, me Furyn që i ka fituar dy përballjet e mëparshme. Kjo sfidë e tretë do të zhvillohet në stadiumin e Tottenhamit në Londër. Chisora, 33 fitore e 12 humbje, ka deklaruar: “Unë nuk e di se si do të jetë Tysoni në ring, kanë kaluar 8 vjet nga hera e fundit që kemi dueluar së bashku. Ai është një boksier i mirë dhe ngacmues në ring. Do të jetë një sfidë e madhe dhe dua të fitoj me KO. Unë e kam aftësinë për ta mposhtur Furyn”.
Në fund, Chisora ka vlerësuar Furyn si njeri e boksier, që pak vite më parë kaloi në depresion. “Jeta është e mrekullueshme. Tysoni është një luftëtar i madh. Ai shkoi në depresion, në krizë dhe arriti ta kalojë atë vështirësi dhe ka dëshmuar se të gjithë e kanë gabim. Duhet t’i heqësh kapelën kur njerëzit bëjnë mirë”, ka deklaruar Chisora.