Chollet anulon vizitën në Kosovë, kjo është arsyeja

12 dhjetor 2022 | 12:30

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka anuluar vizitën në Kosovë, për “arsye familjare”, ka marrë vesh “Radio Evropa e Lirë”.

Ka qenë e paraparë që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.

Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës është bërë me dije se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.

Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime janë ndërmarrë pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet kanë ndodhur derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet ishin shpallur pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë janë larguar nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kanë kundërshtuar edhe zgjedhjet, që fillimisht ishin planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shtyrë ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Rreth kësaj kërkese nuk ka pasur reagim nga KFOR-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politikania serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, që kundërshton pushtetin në…