Chollet: Asociacioni në Kosovë nuk është një organ që do t’i ngjante Republikës Srpska

19 janar 2023 | 19:02

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se përpjekjet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare janë humbje kohe dhe energjie.

Ai tha se “për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është me rëndësi që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mendojmë se kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por ka një dallim të madh në mes të Republikës Srpska dhe Asociacionit të ardhshëm”.

“Duhet të jem i qartë, nuk është një organ që do t’i ngjante Republikës Srpska”, tha Chollet në një intervistë për N1.

Chollet nuk ka dashur të flasë për specifikat lidhur me juridiksionin e mundshëm të Asociacionit, duke thënë se këto detaje duhet të “lustrohen” përmes dialogut.

I pyetur për spekulimet e mediave rreth të ashtuquajturit propozim franko-gjerman, për të cilin presidenti Aleksandar Vuçiq thotë se përfshin një formë të njohjes së pavarësisë së Kosovës, diplomati amerikan gjithashtu tha se nuk dëshiron të flasë për specifika.

“SHBA mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe qëllimi (i saj) është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke”, tha diplomati.

Ai thotë se propozimi evropian është baza e negociatave dhe se është fleksibil.

Duke folur për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Kombet e Bashkuara, i pyetur se si të arrihet kjo për shkak të kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës, ai tha se do të jetë e vështirë, por SHBA-të do të vazhdojnë të avokojnë për të.

“Përpjekjet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare janë humbje kohe dhe energjie”, theksoi ai.

Chollet tha se SHBA është e shqetësuar për ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si pasojë e reshjeve të shumta që kanë përfshirë vendin,…