Chollet bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin për “përfitimet” nga zbatimi i propozimit evropian
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në biseda të ndara telefonike, u ka thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, se zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, propozim që veçse është pranuar nga palët.
“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi [i propozimit evropian] do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, shkroi Chollet në llogarinë e tij në Twitter.
Ndërkaq, nga zyra e Kurtit thanë se kryeministri kosovar, gjatë bisedës me Chollet, tha se Kosova është e përkushtuar që takimi i Ohrit “të jetë i suksesshëm”.
“U bisedua për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet euroatlantike dhe sigurinë”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Kurti, siç bëhet e ditur, veçse ka arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Chollet tha se me Vuçiqin ka zhvilluar një bisedë të mirë lidhur me “rëndësinë e angazhimit konstruktiv” sa i përket planit të zbatimit të propozimit evropian.
“Bisedë e mirë me presidentin Vuçiq. U pajtuan në rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Chollet në Twitter.
Më herët gjatë 17 mars, Vuçiq deklaroi se Qeveria në Beograd do të ruajë “Serbinë e plotë, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë”.
Në Kushtetutën serbe, Kosova figuron si pjesë e Serbisë.
“Para nesh na pret një periudhë jo lehtë, por kur ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, serioze dhe të mençur, Serbia del fituese”, tha Vuçiq dhe përsëriti se ai do të “ruaj paqen”.
Në rundin e ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, sipas Brukselit, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.