![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/01/derek-collet-660x330-1.jpg)
Chollet: Duhen vendime të vështira nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhen të merren vendime të vështira dhe nga ta kërkohet kurajë, në mënyrë që, sipas tij, të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të shtetit të tyre.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet tha se propozimi i Bashkimit Evropian për një marrëveshje eventuale është një propozim në drejtim “të mir”.
“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, tha Chollet.
“Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”, shtoi ai.
Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Por, në tekstin e propozimit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Chollet së shpejti pritet të vizitojë Serbinë, por edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj vizite, ai tha se do të flasë me liderët për tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është lajm i mirë që barrikadat në veri të Kosovës janë hequr, por theksoi se është e rëndësishme që të mos përsëriten kriza të tilla.
“Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqëndruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjelltë. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik”, tha Chollet.