Cholleti i telefonon Kurtit, bisedojnë për dialogun dhe betimin e kryetarëve në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, ata kanë biseduar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë zbatimin plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike, si dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Po ashtu, Kurti dhe Cholleti kanë biseduar edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Po ashtu, Kurti dhe Cholleti ka biseduar për vizitën në Kosovë të administratores së USAID-it, Samantha Power, e cila së bashku me përfaqësuesit e institucioneve kanë shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.