Chris Christie largohet nga gara për president në ShBA-së
Ish-guvernatori i New Jersey, Chris Christie, ka bërë me dije se është duke i dhënë fund kandidimit për president përpara fillimit të votimeve paraprake brenda Partisë Republikane, me një përpjekje të fundit për t’ia mohuar ish-presidentit Donald Trump mundësinë e marrjes së emërimit si kandidat zyrtar për president nga kjo parti.
“Qëllimi im nuk ka qenë kurrë të jem thjesht një zë kundër urrejtjes dhe ndasive, si dhe të egoizmit që ka arritur partia jonë nën drejtimin e Donald Trumpit”.
“E kam thënë gjithnjë se nëse do të vinte momenti në këtë garë kur nuk do të shikoja mundësinë e arritjes së këtij qëllimi, atëherë do të largohesha. Dhe është e qartë për mua sot se nuk ekziston mundësia e marrjes së emërimit, prandaj po ndërpres sot fushatën time për president të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Christie gjatë një takimi publik në Nju Hempshër.
Largimi nga gara vjen si surprizë, pasi Christie e kishte bazuar suksesin e fushatës së tij te zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, të cilat mbahen pas vetëm dy javësh. Ai kishte këmbëngulur deri të martën në mbrëmje se nuk kishte ndërmend të dilte nga gara, duke vazhduar ta paraqesë veten si të vetmin kandidat me vullnetin për t’u përballur me ish-presidentin.
Por, Christie përballej me një realitet të vështirë. Anketimet e bëra nga CNN/UNH javën e fundit në Nju Hempshër treguan se katër në dhjetë votues të mundshëm republikanë do të votonin për zotin Trump, megjithë ngushtimin e avantazhit të tij, si dhe se tashmë një e treta e tyre mbështet kandidaten Nikki Haley.
Aleatët e Haley dhe republikanë të tjerë anti-Trump, i patën bërë thirrje Christie të dilte nga gara, duke shpresuar se një pjesë e madhe e mbështetësve të tij do të kalonin në mbështetje të zonjës Haley, duke i dhënë asaj kështu një shans më të madh përballë ish-presidentit Trump, që vazhdon të jetë favoriti kryesor.
Në anketimin në Nju Hempshër, ku Christie ka rezultuar me 12 për qind mbështetje, tregohet se rreth dy të tretat e mbështetësve të tij do të përzgjidhnin zonjën Haley si kandidaten e dytë më të preferuar.
Christie pati hyrë në garë si kritiku më i ashpër i ish-presidentit Trump.