Christofer Hill flet për burgosjen e Nanos në vitet e ‘90-ta dhe Pavarësinë e Kosovës
Diplomati i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit, Christofer Hill ka rrëfyer ekskluzivisht në Real Story të Sokol Ballës disa të vërteta të forta për Shqipërinë në rrugëtimin e saj 30-vjeçar, i cili paralajmëroi edhe nga se duhet të shqetësohet vendi ynë, ku çështja kryesore mbetet influenca ruse.
“Duhet të jeni vigjilentë dhe të shqetësuar për Rusinë”, ka paralajmëruar Hill në intervistën me gazetarin Sokol Balla, ku tregoi edhe disa të vërteta për burgosjen e Nanos, Pavarësinë e Kosovës, ndërsa jep këndvështrimin e tij për reformën në drejtësi hapjen e negociatave me BE-në.
Në intervistën për gazetarin Balla, ai ka rrëfyer edhe kohën kur u sulmua ambasada amerikane në Shkup, brenda së cilës ndodhej ambasadori Hill dhe 41 punonjës të tjerë.
SB: President Berisha tha më vonë, që ai e lejoi atë të ndodhte, pasi në të kundërt njerëzit në Kosovë do të vuanin nga uria.
CH: Mendoj që ishte një situatë që i shkaktoi shumë tendosje institucioneve shtetërore. Sepse kur ti ke njerëz që duhet të ndalojnë kontrabandën, ata duhet ta bëjnë atë. Ishte një kohë shumë e vështirë për Shqipërinë që të ecte përpara si demokraci, por mendoj që Shqipëria eci përpara.
SB: Duke thënë që situata në Kosovë pati degëzime në Shqipëri, mos po thoni që ajo që ndodhi në Shqipëri mes ‘97-‘99 kishte të bënte dhe me situatën në Kosovë?
CH: Them që kishte të bënte me situatën në Kosovë, sepse ajo që ndodhi ishte ajo që u quajt “skema piramidale” këtu. Por nëse shihni me kujdes se si funksiononin ato skema piramidale, jepnin para që ishin këtu për shkak të kontrabandës së naftës dhe pas arritjes së paqes nuk ishte më nevoja për kontrabandë dhe skema piramidale kaloi në kolaps, duke shkaktuar që shumë njerëz të humbnin para.
SB: Kjo është hera e parë që dëgjohet një gjë e tillë, veçanërisht e thënë nga një zyrtar i SHBA-ve në atë kohë, që paratë e kontrabandës ishin baza e piramidës?
CH: Fillimi, po!
SB: Dhe më pas doli nga kontrolli…
CH: Po, dhe njerëzit që ishin të fundit që kishin futur para, dolën që ishin humbësit më të mëdhenj.
SB: Më pas ju mbaj mend ju, kur u kthyet në Ballkan, në Shkup…
CH: Isha në Shkup nga 1996-1999 dhe gjatë asaj kohe isha dhe Negociatori i SHBA në Kosovë, duke u marrë me Milosheviçin, Rugovën, Thaçin dhe gjithë ata njerëz.
SB: Çfarë mbani mend nga ajo kohë?
CH: Kohë shumë e vështirë, sepse unë po përpiqesha të shisja diçka, që askush nuk e donte. Po përpiqesha të shisja një marrëveshje autonomie, për të cilën shqiptarët e Kosovës thoshin që ishte shumë pak dhe serbët thoshin që ishte shumë. Ishte shumë e vështirë të shisje diçka që askush nuk donte ta blinte.
SB: Çfarë e ndryshoi qëndrimin e SHBA mbi atë çështje? Çfarë e çoi nga një autonomi në një pavarësi të plotë?
CH: Mendoj ajo se çfarë ndodhi ishte që SHBA dhe unë, e shpërndamë këtë marrëveshje në një vend të quajtur Rambuje. Serbët e refuzuan dhe kosovarët e pranuan. Ata e pranuan propozimin tonë, serbët e refuzuan dhe një luftë nisi mbi të. Në atë pikë, kur lufta fillon, është e vështirë të kthehesh pas tek autonomia dhe ne për shkak të situatës që po zhvillohej, për shkak të të gjithë krizës në atë kohë, ishte e qartë që Kosova do të shkonte drejt pavarësisë. Asnjë nga vendet e BE nuk e pranoi atë, madje sërish kemi 5 vende që nuk e pranojnë. Por një gjë ishte, që shqiptarët ishin të arsyeshëm, ndërsa serbët nuk ishin dhe kjo ishte kosto.
SB: Gjithashtu mbaj mend, me korrigjoni nëse jam gabim, që qëlluan mbi ambasadën amerikane në Shkup.
CH: Kur lufta nisi, ne kishim disa vizitorë të paftuar, të cilët u mblodhën përpara ambasadës sonë, disa mijëra dhe i vunë zjarrin makinave tona, dogjën disa nga banesat pranë ambasadës. Ata morën shtizën e flamurit tonë dhe si në skenat e mesjetës, u përpoqën që përmes saj të hynin brenda në derën kryesore të ambasadës. Unë isha aty bashkë me 41 punonjës të ambasadës, amerikanë dhe maqedonas dhe na u desh që të prisnim për ndihmë nga ushtria. Ishte një ditë e gjatë.
SB: Ndoshta vetëm në Athinë, përjashtuar Lindjen e Mesme, unë kam parë skena të ngjashme kundër ambasadave amerikane…
CH: Në Kinë ka ndodhur. Por në atë ngjarje ne ishim të gjithë brenda dhe ishim të shqetësuar se nëse do lejonim godinën kryesore të digjej, ne nuk do kishim më oksigjen për të marrë frymë. Ishte një pasdite shumë e gjatë.
SB: Më kujton pak a shumë çfarë ndodhi vite më pas në ambasadën kur humbi jetën dhe ambasadori juaj.
CH: Po, e saktë. Por ajo çfarë i thashë stafit ishte që ne mund të gjenim mundësinë që të qëndronim, kështu që i kërkuam Qeverisë së Maqedonisë të mbyllte rrugën përpara ambasadës sonë, shtuam rojet, shtuam marinsat dhe asnjëherë nuk e mbyllëm ambasadën, ne qëndruam.
SB: Ju keni shërbyer në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Mendoj që ky është dhe fillimi i të kuptuarit që shqiptarët janë miqtë tuaj më të afërt në Rajon?
CH: Kam kaluar shumë kohë me shqiptarët, mos harroni dhe Nju Jorkun…