Christos Marmarinos flet “terr e zi” për Kosovën dhe basketbollin kosovar, kohën si trajner i Kombëtares e cilëson si sfidën më të çmendur në karrierë
Christos Marmarinos është rrëfyer për kohën e tij sa ishte përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në basketboll.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, ai gjithashtu zbuloi edhe histori të pabesueshme nga ajo kohë, shkruan Gazeta Express.
Si është për një trajner profesionist të jetë trajner i kombëtares së Kosovës? Çfarë hasi aty Christos Marmarinos dhe si “rrodhi” kjo përvojë? Skauti aktual i Sacramento Kings foli në emisionin “Basketball Immigrants” të “EEC WebRadio” dhe dha histori të pabesueshme nga sfida më e çmendur në karrierën e tij në këtë sport.
Për mënyrën se si përfundoi në Kosovë, trajneri grek tha: “Me një lojtar timin të vjetër u afrova nga presidenti i Federatës dhe më pyeti nëse isha i interesuar. Bëmë dy intervista atëherë dhe vendosëm të bënim bashkëpunimin. Ishte si të hyje në një… makinë kohe, të kthehesh 50 vjet pas dhe të shikoje se si ishin gjërat përpara zhvillimit të basketbollit në Greqi. Kjo periudhë ishte shumë e veçantë”.
Për arsyen pse vendosi të shkonte atje: “E mendova dhe e peshova me kujdes. Në thelb, nëse shkon të punosh në një vend të tillë, duhet të kesh pak mendësi misionare. Shkon ne një vend shumë të prapambetur për nga sporti, nuk ka një infrastrukture aq të mirë, edhe mendimi dhe kultura që kanë për basketbollin është shumë e prapambetur dhe thua qe do shkosh në një vend të tillë me kusht që të ndihmosh zhvillimin e sportit dhe t’u jepni njerëzve një shans atje nëse shohin diçka ndryshe. Nëse e shikon thjesht profesionalisht, nuk mendoj se ia vlen. Kisha një pjesë… romancë që më bëri të hyja në këtë proces.”
Nëse kosovarët kishin dyshime për të, edhe për shkak të marrëdhënieve Greqi-Serbi: “Para pranisë sime ka pasur pak raste të komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Edhe ndihmësit e mi më thanë se ndryshuan mënyrën se si i shihnin grekët. Më pëlqeu shumë të ndihmoja ta ndryshoja atë. Për të kuptuar, në transmetimin e vitit të kaluar të ‘Final 4’ të Euroligës për televizionet kosovare, njëri nga komentuesit ishte partneri im në Kombëtare dhe ai shkoi me një fanellë të Olympiacos me emrin e tij, të cilën ia kisha dhënë unë. Ishte diçka që askush nuk do ta priste të ndodhte në Kosovë disa vite më parë”.
Për atë që gjeti në Kosovë: “Kam pasur dy malazezë me origjinë malazeze, por të rritur në Kosovë, të cilët nuk flisnin shqip, vetëm serbisht. Kishte disa serbë në pjesën serbe të Kosovës ku mund t’i ftonim disa, por serbët në komunitetin e tyre do të kishin më shumë vështirësi t’i pranonin se sa shqiptarët. Pra kemi pasur fëmijë me origjinë malazeze. Ne e bëmë trajnimin në anglisht për ata që e kuptonin.
Kushtet ishin… bota e tretë, salla kishte vrima të pabesueshme. Ishin dy salla bashkë, ku njëra ishte djegur tërësisht, ishte “kufomë” dhe ishte shndërruar në parking dhe aty pranë ishte arena ku luanim. Ishte tepër ftohtë, brenda stadiumit ishte shumë e vështirë, u përpoqën të sillnin disa ngrohëse për ta ngrohur, por pa rezultat. Lojtarët nuk dinin as bazat e stërvitjes, trajneri erdhi një herë dhe iku pjesën tjetër të kohës, asistentët nuk dinin të bënin video, nga një analizë statistikore, madje as elementet bazë.
Po flasim për gjëra që kanë ndodhur në Greqi që në vitet 70. Në fakt, ishte një lojtar që një kolegu im i tha për Michael Jordan dhe ai u përgjigj: ‘I vetmi Michael që njoh është Michael Jackson’. Ata njihnin vetëm skuadrat dhe lojtarët që ekzistonin në zonë. Vetëm me 3-4 emra dhe ata kishin luajtur jashtë, mund të komunikoja disi dhe mund të lidhnim një kontakt me të tjerët”.
Nëse i ka “shkatërruar” stereotipet në Kosovë: “Vendi ka mbetur prapa, nuk e kam menduar se mund të jetë kaq prapa. Nuk mendoja se mund të kishte kaq shumë të armatosur, nuk mendoja se mund të ndiheshin aq rehat me incidentet e dhunshme që do të na tronditnin. Stereotipet që ‘shkatërrova’ ishin se si e shihnin grekun, u përpoqa shumë me zyrën e marrëdhënieve kosovare këtu për të forcuar sa më shumë dialogun mes dy vendeve në planin diplomatik dhe politik. ‘Hapi’ që bëra ishte për të treguar se si është basketbolli ynë, mënyrën tonë të të menduarit dhe për t’ua përcjellë atyre, që këtu të vihet një ‘farë’ për të ardhmen. E dija, megjithatë, se çdo përpjekje që bëja do të gjeja një mur. Shumë njerëz më thoshin: ‘Si është e mundur që nuk mund ta mposhtim Lituaninë, një shtet me një popullsi kaq të madhe sa e jona?’.
Për mentalitetin e tyre: “Ata janë adhurues të fitores, si gjithë Ballkani. Është e paimagjinueshme. Ne shënuam fitoren e parë jashtë fushe në historinë e tyre, kundër Luksemburgut, dhe mendoj se edhe tifozët e Olympiacos nuk ishin aq të lumtur kur fituan Euroligën. Ata ishin tre ditë… të dehur. Ata morën një ditë pushim nga ekipet e tyre, ishte festë kombëtare që mundën Luksemburgun. Atëherë mund të kishim humbur nga Danimarka dhe katastrofa po vinte. E gjithë situata ishte vërtet shumë e çuditshme. Ishte shumë më mirë për ta të mundnin Gjibraltarin sesa të barazonin me Islandën, për shembull”.
Nëse sporti në Kosovë është rrugëdalje: “Kur FIBA i njohu në vitin 2015, për këtë po flasin edhe sot. Është e madhe për ta. Kanë një kampion olimpik në xhudo, ku sportet dinamike u shkojnë shumë për nga temperamenti dhe lloji trupor. Kombëtarja e tyre e futbollit ka një buxhet shumë të madh, ku 19 nga 21 lojtarët kanë lindur jashtë vendit. Ata po mundohen të organizojnë gara evropiane 3×3, të kategorisë U16, gjëra që do t’i vendosin në ‘hartë’ dhe Evropa do të dëgjojë se ka edhe një shtet që quhet Kosovë”.
Për atë që ruan nga prania e tij atje: “E vetmja gjë që nuk fitova ishin paratë. Ajo që mbaj janë marrëdhëniet me disa njerëz në përpjekjen që u bë disi për t’u bashkuar nën basketboll, si gjuhë e përbashkët komunikimi. Mbaj edhe eksperiencat që kam parë, sa ndihmë duan këta njerëz dhe as nuk dinë ta pranojnë atë ndihmë. Është mbresëlënëse, me të vërtetë është si një makinë kohe. Është shumë vite më parë. Edhe pse ka para, pjesa më e madhe e shpërndarjes së popullsisë është në mënyrë të paimagjinueshme të pazhvilluar sa i përket basketbollit dhe kulturës sportive. Duhet një kohë e gjatë, shumë edukim dhe trajnim që të mund ta kalosh këtë në bazë”.
Për historinë që ka lënë: “Është një histori që zakonisht ua tregoj miqve të mi, sidomos jashtë vendit, për të treguar nivelin e përgatitjes së kësaj skuadre kryesisht në planin mendor. Praktikisht gjatë gjithë vitit luajmë kundër Sllovakisë, e cila ka lojtarë me vlerë qindra mijëra euro. Kushdo që fitoi shkoi në fazën tjetër. Pas dyerve të mbyllura, Covid, ‘flluska’ në Prishtinë. Ka qenë një javë përgatitje, kemi dhënë video skautimi, raporte skautim, kemi pasur stërvitje në mëngjes, gjithçka që mund të bëhej. E kuptova që do ta kishin të pamundur ta përtypnin informacionin. Shumë djem në kombëtare, 25-27 vjeç, ishte hera e parë që hipnin në avion. Pyes të gjithë ekipin ‘A mendoni se jemi gati?’, më thonë ‘Po trajner, kemi bërë përgatitjen më të mirë’, atë që të gjithë thonë gjithmonë. Kështu e pyeta playmakerin kryesor të ekipit tonë, i cili është mësues dhe i arsimuar, se cilin lojtar shënjestrën. Një që kishte Sllovakia quhej Abraham dhe tjetri quhej Krajicovic. Sapo e pyeta këtë gjë lojtarin e ri, ai ishte i ‘shtangur’. Kështu ata me përvojë nga pas u përpoqën t’i tregonin me pëshpëritje, ku njëri thoshte një gjë, tjetri tjetrën. Ai nuk e dëgjoi mirë, kështu që pasi priti disa sekonda duke u përpjekur të dëgjonte sa më mirë atë që po i thuhej, tha ‘Abramovic’, domethënë të dy emrat. Ishte e pabesueshme”.
Marmarinos zbuloi edhe një histori të pabesueshme, për “blerjen e një lojtari që mblidhte patate”.