CIA ndërpret shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Ukrainën

05 mars 2025 | 21:19

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë ndërprerë shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Ukrainën, një veprim që mund të kufizojë seriozisht aftësinë e Kievit për të vazhduar luftën tashmë trevjeçare me Rusinë. Vendimi vjen ndërkohë që Uashingtoni po përpiqet të nxisë dy vendet drejt bisedimeve të paqes për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenti Donald Trump në fillim të javës urdhëroi pezullimin e ndihmës ushtarake amerikane për Kievin pas takimit të tij të debatueshëm javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Drejtori i CIA-s John Ratcliffe, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë për momentin ndarjen e informacioneve të zbulimit me Kievin, megjithëse vendimi mund të jetë jetëshkurtër pasi zoti Zelenskyy tha se shkëmbimet e tij të ashpra me Presidentin Trump në Zyrën Ovale ishin “për të ardhur keq” dhe se Ukraina ishte gati për bisedime paqeje me Rusinë.

“Unë mendoj se në frontin ushtarak dhe atë të zbulimit, pauza (që e shtyu presidentin e Ukrainës të përgjigjej) do të hiqet”, tha zoti Ratcliffe në një intervistë për kanalin Fox Business.

“Mendoj se ne do të punojmë krah për krah me Ukrainën ashtu siç kemi bërë deri më tani për të zmbrapsur agresionin ndaj saj, por ne morëm këtë vendim për ta vendosur botën në një pozicion më të mirë, që këto negociata paqeje të ecin përpara”, tha ai.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës informacione të konsiderueshme zbulimi, përfshirë informacione kritike ushtarake për të goditur pozicionet ruse.

Mike Waltz, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, u tha gazetarëve të mërkurën se administrata e Shteteve të Bashkuara po “rishikon të gjitha aspektet” e marrëdhënieve të saj në fushën e zbulimit me Ukrainën.

Ndërkohë, zoti Waltz i tha kanalit CBS News se Shtetet e Bashkuara po lëvizin me shpejtësi për të nisur negociatat e paqes për t’i dhënë fund luftës dhe për të nënshkruar një marrëveshje për të drejtat e shfrytëzimit të mineraleve me Kievin.

“Mendoj se ne do të shohim lëvizje në një kohë shumë të shkurtër”, tha zoti Waltz.

Ai tha se zyrtarët e administratës së Presidentit Trump do të takohen me zyrtarë ukrainas ndërsa vazhdojnë angazhimin diplomatik me Rusinë.

“Unë sapo pata një bisedë telefonike me homologun tim, këshilltarin e sigurisë kombëtare të Ukrainës dhe fola me të për kohën, vendin e takimeve mes delegacioneve tona”, tha zoti Waltz.

Në fjalimin e tij para Kongresit të martën, Presidenti Trump tha se kishte marrë një letër nga zoti Zelenskyy, në të cilën udhëheqësi ukrainas shprehu gatishmërinë për të filluar negociatat për përfundimin e luftës me Rusinë.

“A nuk do të ishte një gjë e bukur? Është koha ta ndalim këtë çmenduri. Është koha të ndalojmë vrasjet dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse doni t’u jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët”, tha Trump gjatë fjalimin para ligjvënësve amerikanë.

Përshkrimi i letrës përputhej me atë që Presidenti Zelenskyy postoi më herët gjatë ditës në mediat sociale, duke thënë se Ukraina ishte e gatshme të negocionte “sa më shpejt që të jetë e mundur” dhe do të “punonte nën “udhëheqjen e fortë” të Presidentit Trump për të arritur një marrëveshje paqeje.

Presidenti Zelenskyy tha se takimi i tensionuar me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar ishte “për të adhur keq” dhe se ai mbetet i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara të drejta të konsiderueshme dhe afatgjata për shfrytëzimin e mineraleve të rralla të Ukrainës, të nevojshme për prodhimin e produkteve amerikane të teknologjisë.

Në një postim në platformën X, udhëheqësi ukrainas tha se diskutimet e tij me Presidentin Trump dhe Nënpresidentin JD Vance “nuk shkuan ashtu siç duhej. Është koha t’i rregullojmë gjërat. Ne duam që bashkëpunimi dhe komunikimet e ardhshme të jenë konstruktive.”

Në takimin në Zyrën Ovale, zoti Trump dhe zoti Vance, të ulur pranë njëri-tjetrit, e akuzuan zotin Zelenskyy se ishte mosmirënjohës për municionet me vlerë mbi 100 miliardë dollarë që Shtetet e Bashkuara u kanë dërguar forcave ukrainase për t’i bërë ballë agresionit të Moskës që filloi në vitin 2022, edhe pse udhëheqësi ukrainas i ka falënderuar në shumë raste Shtetet e Bashkuara.

“Ne e vlerësojmë vërtet se sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj”, tha zoti Zelenskyy të martën. “Na kujtohet se si ndryshoi situata kur Presidenti Trump i dha Ukrainës” sistemet antitank Javelins. “Ne jemi mirënjohës për një gjë të tillë.”

“Do të doja të ritheksoja angazhimin e Ukrainës për paqen. Askush nga ne nuk dëshiron një luftë pa fund. Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të arritur sa më shpejt një paqe të qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit”, tha zoti Zelenskyy.

Nënpresidenti Vance i tha Zërit të Amerikës të martën: “Ne besojmë se është në interesin më të mirë të Rusisë, por edhe në interesin më të mirë të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, që të mbyllet ky konflikt”.

Presidenti Zelenskyy tha se faza e parë e një armëpushimi “mund të jetë lirimi i të burgosurve [rusë dhe ukrainas] [që secili vend mban] dhe armëpushimi ajror – ndalimi i raketave, dronëve me rreze të gjatë veprimi, bombardimit të infrastrukturës energjetike dhe asaj civile në përgjithësi – si edhe armëpushimi i menjëhershëm detar, nëse Rusia bën të njëjtën gjë”.

“Më pas duam t’i përshkojmë shumë shpejt të gjitha fazat e ardhshme dhe të punojmë me SHBA-në për të rënë dakord për një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme,” tha ai.

Por arritja e një marrëveshjeje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh një rikthim në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht të vitit 2014, përpara se Moska të pushtonte në mënyrë të njëanshme Gadishullin e Krimesë. Rusia aktualisht ka kontrollin e një të pestës së territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, dhe ka këmbëngulur se nuk do t’i kthejë Kievit asnjë pjesë të atij territori. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump urdhëroi të hënën…