CIA u kërkon rusëve të ndajnë informacione kundër Rusisë
Agjencia Qendrore e Inteligjencës së ShBA-së (CIA) ka publikuar një video që përmban udhëzime për rusët e zhgënjyer ose të zemëruar me luftën e Kremlinit kundër Ukrainës dhe jetën nën presidentin Vladimir Putin, se si të ndajnë informacione të vlefshme me inteligjencën amerikane në mënyrë anonime dhe të sigurt.
Videoja e shkurtër nga shërbimi më i lartë i inteligjencës amerikane tregon një zyrtar rus dhe familjen e tij, që duket se kanë një jetë të vështirë, dhe pyesin nëse kjo përputhet me ëndrrat e tyre.
“CIA dëshiron të dijë të vërtetën për Rusinë dhe ne po kërkojmë njerëz të besueshëm që mund të na thonë këtë të vërtetë”, është thënë në video.
Videoja është shpërndarë edhe në rrjete tjera sociale, duke përfshirë “YouTube”, “Twitter”, “Instagram” dhe “Facebook”.
Agjencia amerikane ka shprehur shpresën e saj për të vendosur kontakte me njerëzit që punojnë në shërbimet e inteligjencës, diplomacisë, shkencës dhe teknologjisë dhe tha se është e interesuar për të gjitha llojet e informatave, përfshirë ato politike dhe ekonomike.
Agjencia shpreson t’i bindë personat që janë të pakënaqur ose që e vënë në dyshim pushtimin e Ukrainës nga vendi tyre, që të ndajnë me të informacionet që mund t’i kenë.
“Qëllimi ynë është t’u ofrojmë atyre mjetet më të sigurta të mundshme për të na kontaktuar”, ka thënë një përfaqësues i agjencisë.