Çifti i famshëm dhuron 1 milion dollarë për refugjatët e Ukrainës
Blake Lively dhe Ryan Reynolds kanë marrë një vendim të rëndësishëm e që është pritur mjaft mirë nga fansat e tyre. Çifti i famshëm do u vijë në ndihmë refugjatëve të Ukrainës, të cilët po zhvendosen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar luftës.
Ka qenë Reynolds, ai që premtoi përmes një postimi në “Twitter” se do të dhuronte 1 milion dollarë teksa do t’i bashkohej donatorëve të tjerë, për t’iu gjendur pranë personave që po luftojnë për të mbijetuar.
Mediat e huaja shkruajnë se duke qenë se brenda 48 orëve, Ukraina po boshatiset dhe njerëzit nuk kanë një çati për t’u strehuar, veprat e bamirësisë janë ato që duhen më shumë këtë kohë.
Ndërkohë në ditën e 4 të pushtimit rus , Ukraina u zgjua nga zhurmat tronditëse të bombardimeve shkatërruese. Forcat ruse kishin targetuar qëllimisht disa depozita nafte dhe pika të tjera kyçe në Vasilikov të Kievit, të cilat shpërthyen frikshëm në qiellin e natës.
Menjëherë më pas qeveria ukrainase paralajmëroi se tymi nga shpërthimi mund të shkaktojë një “katastrofë mjedisore” dhe këshilloi njerëzit të ti mbajnë mbyllur dritaret e tyre.
Ndërkohë në orët e para të mëngjesit luftimet intensive kanë nisur sërish në rrugët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.