“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon partinë e Merkel për kancelarinë! Skena e re politike në Berlin

20 mars 2021 | 19:39

40 vjet pas themelit të Partisë së Gjelbër gjermane, ky formacion politik duket se ndodhet në prag të marrjes së pushtetit, që do të përbënte një fitore të paprecedent të ekologjistëve në perëndim.

“Ajo që ne duam është e thjeshtë… duam të sjellim ndryshim”– ka thënë bashkë-kryetari i partisë së Gjelbër Robert Habeck, i cili vetëm një vit më parë drejtonte një parti të vogël opozitare dhe tashmë ndodhet një frymë larg kancelarisë, e cila është drejtuar nga Konservatorët për gati tre dekada.

Të Gjelbrit të cilët u themeluan në vitet ’80 si një koalicion i gjerë i aktivistëve ambjentalistë, lëvizjeve feministe dhe i aktivistëve kundër përdorimit të armëve nukleare përgjatë Luftës së Ftohtë, ishte parë deri rishtazi si një parti thjesht opozitare dhe me një mbështetje të ngushtë tek njerëzit që kishin “luksin” për t’u preokupuar me çështje post-materialiste (çështje që nuk kanë të bëjnë me sfidat ekonomike, punësimin dhe përgjithsësisht mirëqenien materiale të njerëzve).

Ndonëse pati një fillim dinamik në Universitete dhe mbështetje të madhe tek të rinjtë, ku dy deputetët e parë në Bundestag refuzuan të vishen me kostum dhe kollare (duke krijuar një sensacion të madh në media), vitet ’90 e izoluan partinë në periferi të politikës gjermane dhe të paktë ishin ata që mund të parashikonin një rikthim në skenën qendrore.

“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon

Megjithatë, sot të Gjelbrit janë pjesë e koalicioneve qeverisës në 11 nga 16 landet gjermane, kjo edhe për shkak të rritjes së të djathtës esktreme të AfD, çka imponon të gjitha subjektet e tjera politike të bashkohen në mënyrë që të mos i japin akses drejt pushtetit forcës që konsiderohet e rrezikshme, kjo edhe për shkak të historisë problematike të Gjermanisë me të djathtën ekstreme.

Tashmë është e qartë se aritmetika elektorale garanton faktin se të Gjelbrit do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme gjermane që do të formohet pas zgjedhjeve të 26 Shtatorit. Pyetja që shtrohet është a do të marrin çelësat e kancelarisë më potente në BE?

Kjo do të përbënte një risi të jashtëzakonshme në Europë, teksa plani ekonomik dhe social i të Gjelbërve është radikalisht ndryshe nga partitë tradicionale. Ata synojnë koordimin në rang europian për të reformuar sektorin energjitik dhe do të investonin me miliarda euro për të financuar një “Green New Deal” (Marrëveshje e Re e Gjelbër) një reformë totale që do të ndryshonte faqen e botës ashtu si e njohim ne sot.

“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon

Duoja “simpatike” që po krijon revolucionin e ri politik në Europë

Të Gjelbrit nuk janë thjesht inovatorë në politikat që promovojnë, por dhe në formën sesi partia është e organizuar. Në respekt të plotë të barazisë gjinore, Partia drejtohet nga një grua dhe një burrë, Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, dy të rinj që janë shndërruar shumë shpejt në simbolin e së majtës ekologjike në të gjithë Europën.

Baerbock, një eskperte e marrëdhënieve ndërkombëtare ka studiuar në Hamburg dhe në Londër dhe e filloi aktivizmin më tepër si një hobby, të cilin më pas e shndërroi në okupacion me kohë të plotë, pasi kandidoi në vitin 2013 për deputete në zgjedhjet federale. Ajo është simboli komunikativ dhe konstruktiv në “çiftin politik” dhe shihet shpesh duke drejtuar konferencat për shtyp.

“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon

Nga ana tjetër, Habeck vjen nga bota e shkrimeve, por për hir të së vërtetës është më i njohur si politikan dhe aktivist sesa si shkrimtar. Ai ka studiuar, porsi kolegja e tij në Hamburg ku ka marrë dhe doktoraturë në Filozofi dhe prej dy dekadash është një nga figurat politike me profil më të lartë tek të Gjelbrit. Ai ka mbajtur postin e Ministrit të Energjisë, Agrokulturës dhe Mjedisit në landin e Schleswig-Holstein dhe për pasojë është nga të vetmet figura të larta të të Gjelbërve me eksperiencë të gjatë në qeverisje dhe shihet nga mediat si “teknokrati” i një partie të njohur më tepër për idealizmin sesa aftësitë e veta qeverisëse.

Duoja politike nuk ka pranuar të komentojë se cili prej të dyve do të merrte postin e kancelarit në rast se partia e tyre bën suprizën dhe fiton zgjedhjet federale, por eksperienca e Habert është një indikator që më së paku fillimisht ai do të jetë në krye të qeverisë.

“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon

Natyrisht, për t’u arritur këto do të duhet që kurba rritëse në sondazhe e të gjelbërve të vazhdojë edhe për 6 muaj (një përjetësi kjo në politikë) dhe të tejkalohet një parti që ka qeverisur Gjermaninë për gati dy dekada tashmë. Të shumtë janë analistët dhe akademikët në Europë që presin me kërshëri të shohin sesi do të qeverisej një superfuqi europiane me idealet ekologjiste dhe padyshim një fitore e të Gjelbërve do të përbënte eventin politik më të rëndësishëm në Berlin që pas rënies së murit në vitin 1989.

Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, është e sigurt se të gjelbrit dhe çifti Baerbock-Habeck do të mbeten protagonistë të politikës gjermane për një kohë shumë të gjatë.

“Çifti” i politikës gjermane që po sfidon

Tiranapost

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një autobus i linjës urbane të qytetit të Vlorës i…