Cikalleshi pensionohet nga Kombëtarja
Sokol Cikalleshi një ditë pas nuk u përfshi në listën e Sylvinho për “Euro 2024” ka marrë vendim që të tërhiqet nga Kombëtarja e Shqipërisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, sulmuesi 33-vjeçar ka bërë me dije se nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve, duke u shprehur krenar që e përfaqësoi shtetin shqiptar në nivelet më të larta të futbollit.
“Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt. Ndihem i lumtur përgjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme”, ka shkruar Cikalleshi në “Instagram”.
Sokol Cikalleshi ka 59 paraqitje me fanellën e Shqipërisë, derisa në 13 raste ka gjetur edhe rrugën e golit. Aktualisht, Cikalleshi është pjesë e Konyaspor në Turqi, ku ka shënuar 12 gola e ka dhuruar 5 asistime në të gjitha garat.