Cikalleshi: Të tregojmë gjakun shqiptar në ‘Wembley’
Sulmuesi Sokol Cikalleshi duke folur në konferencën para ndeshjes ndaj Anglisë u shpreh se do të jetë një duel mjaft i vështirë, teksa theksoi se shpreson të gjejë rrugën e rrjetës dhe të ndihmojë ekipin të fitojë.
“Ndeshja e nesërme do të jetë një nga ndeshjet më të vështira që kemi pasur kohët e fundit. Duhet me patjetër që të përsërisim shpirtin e garës, disiplinën taktike në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj se kjo është mënyra më e mirë për të marrë rezultat nesër. Për sa i përket Covid-it, jam rikthyer më i fortë këtë e kam treguar dhe në dy ndeshjet e fundit që kam luajtur me ekipin. Si sulmues shpresoj të gjej rrugën e rrjetës, përballë do të kem mbrojtësit më të mirë në botë por ky është futbollit dhe uroj të shënoj ekipi në fillim, ndërsa goli që do të shënoj shpresoj të ketë vlerë kjo është pozitive dhe na ndihmon neve të arrijmë atë çka duam”, ka thënë Cikalleshi.
“Në ‘Wembley’ do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur, mund ta them dhe në aspektin personal. Është ndeshjet nga më të vështira, por situata e tifozëve besoj që nuk ndikon. Pse jo të jetë një ogur i mirë, pasi në tifozeri kaq të zjarrtë të sjellim më të mirën në fushë. Në fakt në çdo vend që kemi luajtur në transfertë, tifozët nuk kanë munguar. Mund të kujtojmë shumë stadiume ku kanë qenë të pranishëm. Janë shtysë për ne, e dimë që do të kemi mbështetjen e tyre duke qenë bashkë mund të arrijmë gjëra të bukUra e të mira, do të jetë shtysë për ne nesër dhe uroj që në fund tre ndeshjet të dalin të kënaqur nga rezultati ose nga shpirti i skuadrës në fushën e lojës. Ne e dimë se çfarë lloj lojtarësh ka Anglia dhe çfarë cilësisht kanë, ne e dimë që Anglia erdhi dhe fitoi në Shqipëri, por ky është futbolli dhe sidomos në ditët e sotme nuk varet vetëm nga cilësia, por edhe nëse ke shpirtin për të dhënë gjithçka në fushë, nëse ke agresivitetin në fushë, Mendoj se cilësia nuk mund të fitojë çdo herë. Kjo është ajo që dua nga vetja dhe ekipi, por nesër duhet të jemi taktikisht të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë”, ka deklaruar Cikalleshi.