Cila është e vërteta për zyrtarin që u raportua se mori pagë 12 mijë euro në Telekom?
Ditë më parë e media u publikua një artikull, ku u raportua se në Telekomin e Kosovës një zyrtar ligjor ka marrë pagë 12 mijë e 300 euro. Bëhet fjalë për avokatin Gazmend Nushi i cili sipas gazetës, mori nga Telekomi mbi 12 mijë euro pagë.
Një burim brenda Telekomit të Kosovës, ka treguar për “Periskopin”, se gjatë muajit Shtator 2019, Avokati Gazmend Nushi, ka qenë i kontraktuar nga Telekomi i Kosovës me dy Kontrata mbi vepër, vlera bruto e të cilave ishte 6,150.00 Euro (3,200 euro + 2950 euro).“Pagesa për muajin shtator 2019 sipas këtyre kontratave, Avokatit Gazmend Nushi iu është bërë me datën 30 shtator 2019. Pas zbritjes së tatimit në të ardhura dhe kontributeve pensionale, në llogarinë e tij bankare është transferuar shuma neto prej 4,981.50 € (katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një euro/pesëdhjetë cent). Kjo është e vetmja vlerë e pagës për muajin shtator 2019 të cilën Telekomi i Kosovës ia ka paguar Avokatit Gazmend Nushi”, ka thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.
Por siç ka shpjeguar ai, keqkuptimi ka ndodhur për shkak të një gabimi në kalkulimin e pagës për avokatin në fjalë për muajin Gusht 2019, me ç’rast nuk iu ishte ndalur vlera e kontributeve pensionale. Megjithatë, ai thekson se ky gabim është përmirësuar në pagën që do ta merrte avokati muajin e ardhshëm, me ç’rast do t’i bëhej edhe pagesa e munguar pensionale.
Por për t’u përmirësuar ky gabim përmes sistemit kompjuterik, avokatit i është dashur t’ia transferojnë dy paga. “Ky gabim është përmirësuar me pagën e avokatit për muajin Shtator 2019, duke e bërë ndalesën e dyfishtë të kontributeve pensionale (për muajin Shtator 2019 dhe për muajin Gusht 2019). Për këtë arsye, shërbimi financiar i Telekomit të Kosovës vetëm formalisht ka bërë deklarimin e dyfishuar të pagës bruto të avokatit për muajin Shtator 2019, prej 12.300 Euro (6,150 euro x 2), pasi ishte e vetmja mundësi që programi kompjuterik ta njohë mundësinë e pagesës së dyfishtë të kontributeve pensionale”, ka shpjeguar tutje zyrtari.
Ndërsa më pas është bërë zbritja e shumës prej 6,150 euro dhe pas kalkulimit dhe ndaljes së tatimit në të ardhura, avokatit në fjalë iu është transferuar shuma neto prej 4,981.50 euro (katër mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një euro/pesëdhjetë cent) në emër të pagës për muajin shtator 2019.
Kjo i bie se përfundimisht, Avokati Gazmend Nushi, asnjëherë nuk ka pranuar pagë prej 12,300 euro prej Telekomit të Kosovës. Periskopi mëson gjithashtu se edhe një tjetër ‘hulumtim’ për kinse shpenzimin e shifrave marramendëse të menaxhmentit të Telekomit për udhëtime e mëditje gjatë muajit dhjetor nuk qëndron.
Nga të dhënat zyrtare brenda Telekomit, figuron se menaxhmenti gjatë muajit dhjetor, për mëditje dhe udhëtime zyrtare, ka shpenzuar gjithsej 1600 euro.