Cila është gjuha që e kupton Beogradi?

09 nëntor 2018 | 10:07

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se Beogradi sot e kupton gjuhën e mosdialogut, gjuhën e mbylljes së kufirit Kosovë – Serbi për mallrat serbe.

“Kufiri nuk mund të jetë i hapur me vendin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, që ka pretendime territoriale, që të pengon me të gjitha mjetet kudo ku arrin, që nuk e ka gatishmërinë që të të njoh dhe që nuk është as i gatshëm të distancohet nga politikat e gjenocidit të përsëritura disa herë në shekullin XX, e sidomos nga politika e regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Krasniqi ka thënë se ky agresivitet që vije nga Serbia e shtron si domosdoshmëri bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth një plaforme të qartë politike në të gjitha raportet me Serbinë.

Postimi i plotë i Krasniqit:

GJUHËN QË KA ZGJEDHË KOSOVA PËR NORMALIZIM MARRËDHËNIESH – NUK E KUPTON SERBIA

Romakët e vjetër e kanë një shprehje: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”.

Ndoshta kjo shprehje na ndihmon për të parë, se ku po na çojnë të gjitha raportet (rrugët) e bisedimeve politike të gjashtë-shtatë viteve të fundit në mes Kosovës e Serbisë të zhvilluara me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar ?

Të gjitha bisedimet politike të udhëhequra nga Brukseli, të gjitha të ashtuquajturat marrëveshje politike, nga ajo e 19 prillit 2013 e në vazhdim, shumë zhvillime ekcesive që nga treni nacionalist serb, ndërtimi i murit të ura mbi lumin Iber, loja më rastin Gjuriqi, reklamat  e Presidentëve në Liqenin e  Ujëmanit, 10% për mallrat serbe, “bisedimet” e djeshme në Bruksel, deklarimet e këtij viti të zyrtarëve të lartë të Beogradit, janë rrugë që asnjëra nga ato nuk çojnë në marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes  Kosovës e Serbisë, janë rrugë të konfliktit të ngrirë, nëse jo të hapur.

Pse është kështu? Është kështu se nuk është zgjedhur gjuha që e kupton Beogradi zyrtar. Gjuha që është komunikuar që gjashtë vite e sidomos kjo e këtij viti, është gjuhë që nuk e kupton e as që donë ta kuptoj Beogradi. I gjithë rrugëtimi ynë, më shumë se 100 vjeçar, katërçipërisht e konfirmon ketë. Nuk është e rastësishme rruga e luftës çlirimtare që zgjodhëm në fund të shekullit XX. Ajo erdhi pas shumë përpjekjeve paqësore aktive e pasive dhe pas më shumë se 600 shekuj burgosjesh politike për shqiptarët.

Cila është gjuha që e kupton Beogradi?

Beogradi sot e kupton gjuhën e mos dialogut, gjuhën e mbylljes se kufirit Kosovë – Serbi për mallrat serbe, pasi kufiri nuk mund të jetë i hapur me vendin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, që ka pretendime territoriale, që të pengon me të gjitha mjetet kudo ku arrin, që nuk e ka gatishmërinë që të të njoh dhe që nuk është as i gatshëm të distancohet nga politikat e gjenocidit të përsëritura disa herë në shekullin XX, e sidomos nga politika e regjimit të Millosheviqit. Fjalimi i fundit i Vuçiqit në Mitrovicë e konfirmon ketë. Ne, nuk duhet që t’i japim zjarr kësaj çështjes se dialogut, kur në Beogradin politik nuk ka as shenja minimale për njohje e normalizim.

Ky agresivitet që vije nga Serbia e shtron si domosdoshmëri bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth një Platforme të qartë politike në të gjitha raportet me Serbinë. Mënyra se si po sillet Serbia, nuk e lënë asnjë hapësirë për vazhdimin e dialogut. As politika e Brukselit nuk është duke dhënë shenja që ne duhet t’ju besojmë. Mos liberalizimi i vizave është shenjë e keqe! A nuk nxituam kot me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi me premtimin për liberalizimin e vizave? Kjo gjendje e ky realitet i krijuar, dy shtetet shqiptare i obligon që të nisin një fillim të ri për zhvillim e siguri në nivel kombëtar!

Madje, mënyra se si është biseduar jangra-jungra që sa muaj në Kosovë (sidomos nga i pari i vendit), pa asnjë kujdes, siç ishin deklarimet e tija,  për korrigjimin e kufirit, për demarkacionin, për shkëmbim territoresh etj. etj., ishte gjuhë jo vetëm inferiore, por ishte nënshtruese dhe e qulltë e në ndonjë rast e mbështjell me patriotizëm. Kjo gjuhë e komunikimit urgjentisht duhet të ndërpritet dhe kjo duhet bërë shpejtë e pa ekuivokë.

Të gjithë duhet ta kuptojmë se si loja me kufirin dhe kjo për normalizimit  e marrëdhënieve më shtetin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, nuk është pronë e asnjë individi, cilido qoftë ai! Përgjegjësit kryesor që na ka sjellë në ketë gjendje nuk duhet besuar më! Një fillim i ri është i domosdoshëm!

Duhet ta dimë se jo vetëm luftërat e fundit në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë treguar se, politika serbe nuk njeh gjuhë tjetër veç gjuhës së forcës! Kush nuk e ka kuptuar ketë, kudo që të jetë, në Kosovë apo në BE, do të thotë se ai apo ata nuk kanë kuptuar asgjë! Ata nuk kuptojnë as tani!

Dialog po, por vetëm mes të barabartëve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisma Socialdemokrate e Gruas, dega në Gjakovë, e udhëhequr nga…