Cilat dëshira janë politikisht të rëndësishme?

12 nëntor 2021 | 08:24

EARL (BERTRAND ARTHUR WILLIAM) RUSSELL

Ligjërata e nobelistit të letërsisë, 11 dhjetor 1950
Përktheu: AVNI SPAHIU

Kam zgjedhur këtë temë për ligjëratën time të sotme ngaqë mendoj se diskutimet më të vona të politikës dhe teorisë politike marrin në masë të pamjaftueshme parasysh psikologjinë. Faktet ekonomike, statistikat popullative, organizatat konstitucionale, e kështu me radhë, paraqiten në mënyrë të hollësishme. Nuk është vështirë të zbulohet se sa koreano-jugorë dhe sa koreano -veriorë ka pasur kur filloi Lufta e Koresë. Nëse do të shikoni në libra të duhur, do të jeni në gjendje të mësoni se sa kanë qenë të hyrat e tyre për krye banori dhe çfarë ka qenë madhësia e ushtrive të tyre gjegjëse. Por, nëse doni të dini se çfarë lloj njeriu është koreani dhe nëse ka ndonjë ndryshim të konsi­derueshëm midis një koreani verior dhe një jug-koreani, nëse doni të dini se çfarë presin ata nga jeta, cilat janë pakë­naqësitë e tyre, cilat janë shpresat dhe nga çka kanë frikë ata, me një fjalë, ç’është ajo që, siç thonë ata, ‘u bënë atyre tik’, do të shihni më kot në libra të referencës. Dhe, kështu ju nuk mund ta thoni nëse jugkoreanët janë entuziastë të OKB-së, apo do të parapëlqenin të bashkoheshin me kushërinjtë e tyre në veri. Nuk mund të thoni as nëse ata janë të gatshëm të ndërmarrin reforma agrare me kusht të privilegjimit të ndonjë politikani për të cilin nuk kanë dëgjuar kurrë. Pyetje të tilla shpërfillen nga njerëz të shquar që rrinë ulur në kryeqytete të largëta, gjë që shpesh shkakton zhgënjim. Po të bëhej politika ekonomikë dhe sikur ngjarja nuk do të ndryshonte vazhdi­misht aq papritur, do të ishte e domosdoshme që mendimi ynë politik të depërtonte më thellë në burimet e veprimit njerëzor. Cili është ndikimi i urisë në parulla? Si luhatet efektiviteti i tyre me numrin e kalorive në dietën tuaj? Nëse një njeri ju ofron demokraci, kurse një tjetër ju ofron një hejbe grurë, në ç’etapë të urisë do të parapëlqenit grurin para votës? Pyetje të tilla merren parasysh fare pak. Megjithëkëtë, më lejoni, tani për tani, t’i harroj koreanët dhe të merrem me racën njerëzore.

E tërë veprimtaria njerëzore nxitet nga dëshira. Ka një teori tërësisht të gabuar që avancohet nga disa moralistë të sinqertë që thonë se është e mundur t’i bëhet ballë dëshirës në interes të detyrës dhe parimit moral. Unë them se kjo është e gabuar, jo ngaqë njeriu nuk vepron asnjëherë nga një ndjenjë e detyrës, por ngaqë detyra nuk e kontrollon atë nëse ai nuk dëshiron të jetë i detyrueshëm. Nëse doni të dini se çfarë do të bëjnë njerëzit, ju duhet të dini jo vetëm, apo në parim, rrethanat e tyre materiale, por edhe tërë sistemin e dëshirave të tyre me forcë relative.

Ka ca dëshira që, ndonëse shumë të fuqishme, zakonisht nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe politike. Shumica e njerëzve, në ndonjë periudhë të jetës së tyre, dëshirojnë të martohen, por zakonisht ata mund ta plotësojnë këtë dëshirë pa qenë të detyruar të ndërmarrin ndonjë veprim politik. Natyrisht, ka përjashtime; dhunimi i grave sabinase është një rast i tillë. Ndërkaq, zhvillimi i Australisë veriore pengohet seriozisht nga fakti se djem të rinj energjikë, që duhet të merren me punë, nuk duan që të jenë të deprimuar nga shoqëria me femra. Por raste të tilla janë të pazakonshme dhe, në përgjithësi, interesimi që kanë burrat dhe gratë për njëri-tjetrin ka ndikim të vogël në politikë.

Dëshirat që janë politikisht të rëndësishme mund të ndahen në një grup parësor dhe dytësor. Në grupin parësor hyjnë nevojat e jetës: ushqimi, strehimi dhe veshmbathja. Kur këto gjëra bëhen shumë të kërkuara, nuk ka një kufi të përpjekjeve që njerëzit nuk do të bëjnë, apo të dhunës që nuk do të tregojnë, me shpresë të sigurimit të tyre. Thuhet nga studiues të historisë së hershme se, në katër raste të veçanta, thatësirat në Arabi kanë bërë që popullatat e atij vendi të vërshojnë në rajonet përreth, me efekte të jashtëzakonshme politike, kultu­rore dhe fetare. E fundit nga këto katër raste ishte ngritja e Islamizmit. Përhapja graduale e fiseve gjermane nga Rusia jugore në Angli, pastaj në San Francisko, kishte motive të ngjashme. Pa dyshim, dëshira për ushqim ka qenë dhe ende është një nga shkaqet kryesore të ngjarjeve të mëdha politike.

Por njeriu ndryshon nga kafshë të tjera në një aspekt shumë të rëndësishëm dhe ky është se ai ka disa dëshira, të cilat janë, të themi kështu, infinitve, që nuk mund të plotësohen kurrë plotësisht dhe që do ta mbanin atë të trazuar edhe në Parajsë. Gjarpri i boas, kur të ketë ngrënë mirë dhe të ketë rënë në gjumë, nuk do të zgjohet deri kur do të ketë nevojë të hajë prapë. Qeniet njerëzore, të shumtën e rasteve, nuk janë të tillë. Kur arabët, që ishin mësuar të jetonin me disa hurma, shtinë në duar pasurinë e Perandorisë Romake Lindore dhe banonin në pallate në luks pothuajse të pabesueshëm, ata nuk u bënë, me këtë rast, joaktivë. Uria nuk mund të ishte më motiv, ngaqë skllevërit grekë u sillnin atyre ushqime me një lëvizje koke. Por dëshira të tjera i mbajtën ata aktivë: katër në veçanti, që ne mund t’i quajmë përvetësimi, rivaliteti, mburrja dhe dëshira për pushtet.

Përvetësimi – dëshira për të pasur sa më shumë të mira, apo të drejtën mbi të mirat është një motiv, i cili, ma merr mendja, ka burimin e vet në një kombinim të frikës dhe dëshirës për t’i përmbushur nevojat. Një herë krijova një miqësi me dy vasha nga Estonia që për pak i kishin shpëtuar vdekjes nga uria në kohë zie. Ato jetonin me familjen time dhe, natyrisht, kishin mjaft për të ngrënë. Por ato kalonin tërë kohën e tyre të lirë duke vajtur nëpër fermat fqinje për të vjedhur patate, të cilat ato i grumbullonin. Rokfeleri, i cili në fëmijërinë e tij kishte përjetuar një varfëri të madhe, kalonte jetën e tij të pjekur në një mënyrë të ngjashme. Po ashtu, kryeparët arabë në divanet e tyre të mëndafshtë bizantinë s’mund ta harronin shkretë­tirën, ndonëse pasuritë e grumbulluara tejkalonin çfarëdo nevoje të mundshme fizike. Por, çfarëdo që të mund të jetë psikanaliza e përvetësimit, askush nuk mund të mohojë se ai është një nga motivet e mëdha – sidomos në mesin e më të fuqishmëve, ngaqë, siç thashë më parë, është një nga motivet infinitivë. Sado shumë që do të mund të përvetësoni, ju gjithmonë do të dëshironi të përvetësoni më shumë; ngopja është një ëndërr që gjithmonë do t’ju shmanget.

 

(Esenë e plotë mund ta lexoni në numrin e 12 të revistës “Akademia”, të cilën mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë. Të drejtat e botimit, shtëpia botuese “Armagedoni”. Nuk mund të publikohet në asnjë media tjetër pa pëlqimin e botuesit)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervistë me poetin Lulzim Tafa Ndonëse ka shkelur në të…