Cilat janë 10 gjërat e përfunduara këtë javë në kryeqytet?
09 shtator 2022
| 15:34
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka paraqitur top 10 gjërat e përfunduara gjatë kësaj jave që po e lëmë pas në Komunën e Prishtinës.
- Dërguam buxhetin 2023 për thirrjen e mbledhjes së 7-të të Kuvendit Komunal më 19 shtator nga ora 10:00. Pas 5 dëgjimeve buxhetore, shumë punë e mësime. Kemi më shumë ide e projekte sesa buxhet, gjithsesi kemi rritje të mirë në prioritete.
- Finalizuam punëtorinë e fundit për propozim rregulloren e gastronomisë që e trajton zhurmën dhe orarin. Do ti vendosim 1,000 pajisje MadeInKosova për matjen e zhurmës së shkaktuar nga kafeteritë/baret në Kryeqytet nga janari 2023. Brenda ditësh fillojmë me diskutime publike.
- Rregulluam dëmet e shkaktuara nga rreshjet e shiut në fshatin Sharban 24h pas vizitës për identifikim të dëmit.
- Instaluam njehsorë në lagjen Dardania ashtu që banorëve të ju mundësohet kalimi nga faturimi për ngrohje sipas hapësirës në faturim në bazë të konsumit.
- Dorëzuam aplikacionin tek Europe Goes Local për mbështetje në përpilimin e strategjisë për rini. Plani i veprimit rinor lokal i fundit kishte skaduar në 2015. Shumë mbështetje me vizion për rini me strategjinë e re. Së shpejti fillojmë diskutimet publike për gjithpërfshirje.
- Dorëzuam listat e fëmijëve nga skema e ndihmës sociale të cilët do të përfitojnë mësimin falas të gjuhëve të huaja në New Age School.
- Hapëm dyert të edicionit të 12-të të EtnoFest në fshatin Kukaj – përplot instalacione, performanca e diskutime mbi aspekte të etnografisë shqiptare.
- Dorëzuam detyrën projektuese për fillimin e dizajnimit dhe ndërtimit të pikave informative turistike në Kryeqytet, stacion të autobusëve dhe aeroport.
- Hapëm një fushë sportive dhe kënd të lojërave për fëmijë në lagjen Kalabria.
- Mbajtëm diskutim publik në parkun e Taukbahqes për transformimin e një pjesë në fushë të mini golfit me drunj të rinj përreth.
Krenare me ekipin! Fundjavë të mbarë Prishtinë ?