Cilat janë dallimet dhe çka i bashkon UDB-në dhe Gjykatën Speciale
Shkuan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, i ikur në një lokacion ilegal nga frika nga EULESH -i
Gjërat që i bashkojnë: UDB-a dhe udbashët në fillim të luftës çlirimtare në Kosovë e kidnapuan Nait Hasanin duke e keqtrajtuar brutalisht deri se edhe jetën ia rrezikuan. Po të mos ishte KMDLNj-ja që e alarmoi rastin dhe po mos ta dërgonte Destan Rukiqin, avokat dhe anëtar i Këshillit në polici, fati i Nait Hasanit do të merrte drejtim tjetër, mbase nuk do të ishte i gjallë. Intervenimi i KMDLNj-së përmes avokatit Rukiqi për Naitin thuaja i kushtoi me jetë Destan Rukiqit, u rrahë mizorisht nga milicia dhe udbashët serbë duke luftuar me vdekjen disa ditë. Vetëm Zoti e shpëtoi.
Para disa ditëve në një pritë të udbashëve të EULEX-it u kidnapua Nait Hasani dhe u dërgua në bazën e EULEX -it në Fushë Kosovë. Edhe UDB-ja kishte shumë baza. Naiti nuk u keqtrajtua por iu morë telefoni dhe që nga ai çast vëzhgohet dhe mbahet peng i lirë. Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe keqtrajtuar mizorisht nga UDB-ë dhe udbashët serbë dhe shqiptarë. Ishte dënuar me burg afatgjatë dhe të rëndë por jo më shumë se 20 vjet. Pas çlirimit, si bartës i lartë i posteve institucionale, ministër dhe kryetar Kuvendi si dhe u.d. i presidentit ishte bastisur brutalisht nga udbashët e EULEX -it dhe alienët e Speciales për t’u transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Trajta mashkullore e Danica Marinkoviqit, kryeprokurori Smith e ka kërcënuar me burgim të përjetshëm, më mizor se gjykatat serbe.
Hashim Thaçi ishte dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për aktivitet politik dhe kombëtar nga gjykatësi Zdravkoviq kurse kryeprokurori Smith e kërcënon me burgim të përjetshëm. Cilësimet e aktakuzës nga binjakët siamezë (Zdravkoviq/ Smith) janë të njëjta, dallimi është në nuanca. Edhe Nasim Haradinaj ishte burgosur dhe dënuar nga udbashët e Serbisë, i njëjti “fat” e përcolli nga udbashët e Speciales. Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Hysni Gucati dhe Pjetër Shala ishin të pakapshëm për udbashët e Serbisë, por u arrestuan nga këta të Speciales. Sipas të njëjtit model. Salih Mustafa kaloi shumë më lehtë nga gjykatat e Serbisë se nga Gjykata Speciale raciste e Hagës. UDB-ja ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj shqiptarëve të arrestuar, të gjithë shqiptarë, veprimtarë kombëtarë dhe politikë. Kishte raste kur i vriste ose vdisnin për shkak të torturave. Gjykata Speciale nuk ushtron dhunë fizike por ushtron terror psikologjik, zbaton shantazhin në mënyrë flagrante dhe të palejueshme, korrupton dhe kërcënon dëshmitarët sikur që përndjek të gjithë ata që e kundërshtojnë.
Për të ardhur deri te “e vërteta” sipas standardeve të tyre, pamëshirshëm e dhunon dhe e vret të vërtetën. Në mënyrë të paskrupullt ndërhynë në familje duke e dhunuar privatësinë. Skema e rekrutimit të dëshmitarëve nuk dallon aspak, atëherë shqiptarë të ndershëm, tash shqiptarë të ndershëm, sikur atëherë. “Elitat” politike të atëhershme bashkëpunonin me gjykatat serbe, “elitat” aktuale kosovare bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale. Në vend të mbledhjes së fakteve, Gjykata Speciale po mbledhë telefona duke e rrezikuar privatësinë. Këta telefona pastaj i përdorin për shantazhim ndaj dëshmitarëve dhe kërcënim ndaj kundërshtarëve.
Gjykatat serbe ishin të huaja dhe armiqësore për shqiptarët, të tilla po bëhen edhe “gjykatat e Kosovës” në Hagë. Me dënimet e shqiptuara deri tani dhe me kërcënim për dënimet e ardhshme, gjykatat serbe po dalin të jenë humane krahasuar me Gjykatën Speciale Raciste të Hagës. Gjykata Speciale, nëse fillon të keqtrajtojë fizikisht shqiptarët e dyshuar apo të arrestuar, mund të barazohet me gjykatat serbe. Nëse vret të burgosurit apo të dyshuarit, fiton epërsi ndaj gjykatave serbe. Gjykata Speciale e ka bërë Kosovën “lamë thiu”, bënë çka të donë, në çdo kohë dhe kur t’i çohet. Sikur që ky vend të ishte jetim apo pa zot shtëpie. Edhe është pa zot shtëpie.
Jemi vonuar për dekorata: Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka dekoruar udbashin Dimiq për kontributin e tij për rekrutimin e dëshmitarëve shqiptarë dhe të tjerë në proceset e kurdisura kundër ushtarëve të UÇK-së dhe udhëheqësve të shtetit të Kosovës në Hagë. Presidentja e Kosovës ende nuk e ka dekoruar “shqiptari”, bashkëpunëtor i Dimiqit për të njëjtin kontribut. Marre i qoftë!