Cilat janë katër problemet e miratimit të pagës minimale sipas Hotit?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar për katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar në Kuvend.
Si problem i parë, ai ka thënë se nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale.
Ndërkaq problemi i dytë sipas Hotit është se nuk është përfillur formula për caktimin e pagës minimale, e cila formulë bazohet në koston e jetesës.
“Katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar me ligj: 1. Nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale, pasi nuk ka pasur dakordim mes partnerëve socialë (qeverisë, bizneseve dhe sindikatave); 2. Nuk është përfillur formula për caktimin e pagës minimale, e cila formulë bazohet në koston e jetesës; 3. Janë shkelur dy konventa të Organizatës Botërore të Punës lidhur me hapat që duhet ndjekur për caktimin e pagës minimale; 4. Niveli prej 250 euro i pagës minimale është caktuar vitin e kaluar, para inflacionit që përjetuam, dhe sot nuk vlen ai vlerësim pasi janë rritur dukshëm çmimet e mallrave elementare”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.