Cilat janë përparësitë e politikës së jashtme të demokrates Kamala Harris?

04 gusht 2024 | 17:49

Ndërsa kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris pritet të përballet në zgjedhje me kandidatin republikan Donald Trump, qëndrimet e saj për politikën e jashtme po ndiqen me vëmendje, si kur bëhet fjalë për mbështetjen ushtarake për Izraelin dhe Ukrainën, përballjen me Kinën, apo krizën e emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, pritet që programi elektoral i zonjës Harris të ofrojë një vazhdimësi të politikave të administratës së Presidentit Biden, me disa ndryshime për sa i përket përparësisë së çështjeve.

Mijëra emigrantë nga Amerika Qendrore kalojnë çdo vit përmes Meksikës, drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara. Koordinimi me vendet e këtij rajoni për të trajtuar shkaqet e emigracionit, ishte një ndër detyrat që i ishin caktuar Nënpresidentes Kamala Harris, duke e ekspozuar atë kështu ndaj kritikave nga rivali i saj në zgjedhje, ish-Presidenti Donald Trump.

“Ishte një dështim, një nënpresidente e dështuar dhe një administratë e dështuar, ndërsa miliona njerëz kalojnë kufirin. Asaj i ishte ngarkuar përgjegjësia për kufirin”, tha ish-Presidenti Trump.

Zonjës Harris nuk i është lënë drejtimi për çështjet e kufirit. Por për emigracionin, ajo jep një mesazh të fortë gjatë fushatës elektorale, duke vënë në dukje përvojën e saj si prokurore në Kaliforni.

“Unë jam përballur me bandat ndërkombëtare, kartelet e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore që vinin në vendin tonë në rrugë të paligjshme. Kam ngritur çështje hetimore ndaj tyre dhe i kam fituar paditë. Donald Trump nga ana tjetër, flet shumë për sigurimin e kufirit, por nuk ka bërë asgjë”, tha zonja Harris.

Nëse fiton zgjedhjet, zonja Harris thotë se do të rikthejë projektligjin e propozuar nga Presidenti Joe Biden për kufirin, që u rrëzua nga ligjvënësit republikanë që mbështesin ish-Presidentin Trump.

Ajo thotë se do ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke shmangur njëkohësisht një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, si dhe do të punojë për të ruajtur unitetin me vendet e NATO-s.

Ajo pritet gjithashtu të forcojë bashkëpunimin në rajonin Indo-Paqësor.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Filipineve përballë frikësimit dhe kërcënimeve në Detin e Kinës së Jugut”, tha zonja Harris.

Vazhdimësi pritet të ketë edhe në lidhje me Kinën.

“Do të vazhdojë, siç ka thënë, përpjekjet për ulje të rrezikshmërisë së Kinës. E dimë se kur kandidoi në vitin 2020, ishte kundër vendosjes së tarifave. Por ashtu siç veproi Presidenti Biden, edhe ajo duket se ka ndryshuar mendim. Pra gjasat janë për një vazhdimësi”, thotë Robert Daly, nga Qendra Wilson.

Për çështjen e Gazës, zonja Harris mbështet qëndrimin e Presidentit Biden, me synimin për arritjen e një armëpushimi dhe parandalimin e një lufte rajonale.

Sidoqoftë, për shkak të zemëratës në pjesë të mëdha të elektoratit demokrat për mbështetjen e vendosur të Presidentit Biden për Izraelin, zonja Harris ka shprehur ndjeshmëri shumë më të madhe për viktimat në radhët e palestinezëve.

“Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi ndjeshmëri ndaj vuajtjeve dhe unë nuk do të qëndroj e heshtur”, tha ajo.

Zonja Harris mbështet gjithashtu poilitikën e Presidentit Biden për një stil drejtues duke u mbështetur tek aleatët dhe partnerët.

Ajo është përqëndruar gjithashtu tek rreziqet jotradicionale ndaj sigurisë, ndërsa kryeson Këshillin Kombëtar për Hapësirën dhe nxit politikat e administratës për inteligjencën artificiale dhe klimën.

“Kur njerëzit thonë se ‘ajo pati emigracionin në portofolin e saj dhe ne kemi tashmë një problem të tmerrshëm me emigracionin’, ata nuk kanë parasysh këtu rolin e plotë që ajo ka luajtur në çdo rajon të botës”, thotë Linda Robinson, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithëse ka patur katër vite udhëtime në mbarë globin dhe takime me rreth 150 kryetarë shtetesh dhe qeverish, ish-Presidenti Trump thotë se ajo është pa përvojë dhe pa arritje.

“Ajo është një majtiste radikale që do ta shkatërrojë vendin tonë”, tha ish-Presidenti Trump.

Dhe cila është përgjigja e saj?

“Nëse keni diçka për të më thënë, ma thoni në sy”, tha zonja Harris. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thibaut Courtois, portieri i Real Madrid, minimizoi rëndësinë e humbjes…