Cilat janë shkeljet e Kushtetutës për të cilat po akuzohet qeveria Kurti?

09 prill 2023 | 15:05

Sot (e diel) janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 15 vjet pas, akti më i lartë juridik shpeshherë është ‘lënë pas dore’ duke u shkelur e mosrespektuar nga politikanët e qeveritarët ndër vite. Në 15-vjetorin po i numërojmë shkeljet e bëra vetëm nga Qeveria Kurti.

15-vjetori i miratimit të Kushtetutës ishte ndër arritjet më të mëdha të vendit, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Ndër vite, Kushtetuta ka qenë në qendër të shkeljeve të neneve të saj nga qeveritarët që kanë udhëhequr me Kosovën.

Për “çudi”, shkelje të Kushtetutës pati edhe në qeverinë Kurti pasi premtimet e zyrtarëve të Vetëvendosjes gjatë kohës sa ishin në opozitë na tregonin se Kushtetuta do të respektohej maksimalisht.

Kryeministri i Kosovës kur pyetej për bashkim kombëtar doli se megjithatë e kishte lexuar Kushtetutën të paktën deri në nenin 1.3.

Janë bërë 15 vjet, por nuk janë 15 shkelje, teksti më poshtë tregon disa nga shkeljet që u bën gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Shkelja e parë

Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Mbyllja gjatë kësaj kohe ishte shkelje e Kushtetutës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë që është mbrojtës i Kushtetutës, gjeti që të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve u shkelën.

Shkelja e dytë

Edhe hera e dytë kishte të bënte me pandeminë Covid-19.

Kësaj here, ishte atakuar vendimi i qeverisë Kurti për vendosjen e karantinës dhe kundërvajtjet ndaj atyre që nuk respektonin rregullat.

Shkelja e tretë

Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministrja Arbëri Nagavci kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim e filluar nga ish-kryetari Qëndëron Kastrati.

 

Në vendim thuhej se MAShTI përmes vendimit për mësim “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.

Për këtë rast Nagavci kishte bërë një reagim duke thënë se do të analizoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shkelja e katërt

Në muajin mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën.

Gjykata shpalli antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial i cili u hartua nga Ministrja e Drejtësisë.

Ministrja Haxhiu pavarësisht pse ishte gjetuur në shkelje të Kushtetutës, kur ishte pyetur nga gazetarët se a do të japë dorëheqje, kishte treguar se nuk mendon për dorëheqje.

“Për çfarë të japë dorëheqje? Ndoshta është mirë të pyetet opozita pse po e kërkojnë”, kishte thënë ndër të tjera ajo.

Ndërkohë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shpeshherë kontestohen. Njëjtë bëri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë debatit të fundit në “Rubikon”, shkruan “Nacionale”.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me ShBA-në, BE-në, Britaninë, me shoqërinë civile, dhe nuk mjafton komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën Kushtetuese”, kishte  thënë ai pas shpalljes anti-kushtetuese të Ligjit për KPK-në.

Ndryshe, në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar edhe ligje të tjera të hartuara nga Qeveria Kurti.

Ligjin për Byronë, Ligji për Paga, Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale, janë disa nga ligjet që mund të shpallën antikushtetuese dhe lista e shkeljeve Kushtetuese mund të ndryshojë.

Ndërsa në këtë përvjetor, liderët opozitarë kanë përmendur shkeljet e Kushtetutës të bëra nga qeveria Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, me anë të shkrimive në Facebook, kanë akuzuar Qeverinë Kurti për shkelje të Kushtetutës.

Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fisnik Ismaili, ka…