Cilat ligje përfunduan në Gjykatën Kushtetuese?

03 janar 2025 | 08:13

Numri i rasteve që kanë shkuar për vlerësim të ligjeve është më i madh se sa në legjislaturat e tjera. Kështu kanë deklaruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Nga Gjykata Kushtetuese thonë se në shqyrtim janë momentalisht 8 ligje. Për këtë çështje, opozita fajëson qeverinë ku sipas tyre, qeveria qëllim ka kapjen e institucioneve të pavarura.

Në organin më të lartë kushtetues në shtet  përfunduan disa nga ligjet e miratuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ishin opozitarët që konsideruan që ligjet që morën dritën e gjelbër në institucionin legjislativ janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Vetëm në dhjetor të vitit 2024, PDK ka dërguar 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese.

“PDK do t’i procedojë në Gjykatën Kushtetuese ligjet të cilat janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit. Seanca e 5 dhjetorit ka përcaktuar një standard jashtëzakonisht të dëmshëm dhe e ka dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Ato seanca kanë vendosur një rekord te zi parlamentar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ne kemi paralajmëruar që do t’i dërgojmë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, prej atyre të cilat janë miratuar mirëpo në konsultim me gjithë ekspertët tanë, sot i kemi proceduar 16 prej tyre”, ka deklaruar Abelard Tahiri.

Në një përgjigje për Tëvë1, Gjykata Kushtetuese ka treguar se në procedurë të shqyrtimit janë 8 ligje.

“Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese në procedurë të shqyrtimit janë ligjet në vijim: Ligji për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, ligji për Avokatinë, Ligji për KPM, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore dhe Ligji për Zyrtarët Publik”.

Ndërsa nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se numri i rasteve që kanë shkuar për vlerësim të ligjeve është më i madh se sa në legjislaturat tjera.

“Fatkeqësisht qeveria dhe kuvendi kanë pasur një qasje shpërfillëse në raport me Kushtetutën dhe ligjet dhe duke mos respektuar limitet kushtetuese dhe kjo është konfirmuar disa herë edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe përmes fuqizimit të ligjeve të caktuara në kuadër të ligjeve) 00:44 – 00:54 (Numri i rasteve të cilat kanë shkuar për vlerësim i ligjeve të cilat kanë shkuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është pakrahasimisht më i madh se sa në legjislaturat e tjera”, ka deklaruar Gzim Shala nga IKD.

Ndërsa, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se qëllimi i Qeverisë ka qenë kapja e institucioneve të pavarura.

“Ligjet e fundit janë ridërguar për shkak të shkeljeve të njëjta dhe mos përfilljes të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dmth logjika e kësaj Qeverie me përmbledh me një fjalë ka qenë kapja e institucioneve të pavarura, ndikimi mbi shërbyes civil sidomos ndaj shërbyesve publik dhe kjo e ka dëmtuar edhe administratën publike dhe tendenca që përmes presionit dhe përmes grupeve të ndryshme të interesit të ndikojë politikisht por e cila është në aspektin joafirmativ”, ka pohuar Zemaj.

Të njëjtin mendim e ka edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Kjo qeveri karakterizohet me disa veprime të cilat për shkak të numrave që i ka pasur në Kuvend, ka marrë vendime të përshpejtuara kundërligjore e shpesh të gabuara dhe shpesh veprime të cilat kanë rënë ndesh me Gjykatën Kushtetuese që e kemi si roje të ligjshmërisë se vendit. Mbledhja e fundit e Kuvendit të Kosovës karakterizohet me disa shkelje”, tha ai.

IKD  gjatë monitorimit të punës së kuvendit ka evidentuar edhe raste të tjera të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën por nuk kanë shkuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra qytetarë të Cetinjës ndezën qirinj të enjten për 12…