CILAT MUND TË JENË EFEKTET E FITORES ABSOLUTE TË VUÇIQIT?

18 dhjetor 2023 | 20:57

Shkruan: Milazim Krasniqi

Fitorja absolute e Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2023 në Serbi, pritet të ketë disa ndikime në Serbi, në rajon e edhe në Kosovë: 1. Serbia mbetet një shtet jodemokratik, me një lider populist e autoritar që ka dalë mbi partinë, mbi qeverinë e mbi Kuvendin. Është thjesht një vozhd serb. Një Putin ballkanik. 2. Serbia do të vazhdojë të qëndrojë në tri karrige (me Perëndimin, me Rusinë, me Kinën) duke përdorë kapacitetet destabilizuese që ka ndaj Kosovës, ndaj Bosnjes e Malit të Zi. Perëndimi teorikisht ka kapacitet t’ia heqë dy karriget e tjera, por nuk ka vullnet e unitet. Për mimikri, Vuçiqi mund të ketë një distancim të lehtë nga Rusia, por jo ndryshim strategjik të aleancës-vasalitetit. 3. Me fuqinë e re që ka marrë, Vuçiqi me këtë fitore absolute, në raport me Kosovën ka hapësirë të madhe manovruese. Nuk pritet që ta përdorë më terrorizmin, sepse e ka konsumuar në maksimum përfitimin elektoral prej sulmit terrorist në Banjskë. Me atë sulm e largoi temën e Kosovës nga fushata zgjedhore, risiguroi edhe përkrahjen e serbëve të Kosovës. Tash pritet të fokusohet te zbatimi i Planit Franko-Gjerman, por me autonominë e serbëve të Kosovës brenda marrëveshjes. 4. Pozita e Kosovës përballë Serbisë mund të dobësohet edhe më shumë në dialog, nëse vazhdon ky format i dialogut dhe nëse imponohet definitivisht DraftStatuti që është publikuar. Në atë rast Kurtit i mbeten dy mundësi: ta pranojë autonominë e serbëve, duke e gjymtuar shtetin, ose të provojë ta shtyjë zbatimin, duke provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë. Këtë e ka vështirë ta bëjë ngase në atë rast serbët do të bojkotonin dhe kjo do ta përkeqësonte edhe më shumë pozitën e Kosovës, duke e ekspozuar si shtet të dështuar. Nga ana tjetër, nëse provokon zgjedhje dhe nëse prapë fiton, futet në rrugë pa shtegdalje, me nje mandat tjetër të plotë, por pa kurrfarë fuqie për të rezistuar, gjë që do të mund të shkaktonte krizë të re në skenën politike në Kosovë e me shumë gjasa edhe në partinë e Albin Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, sot e ka përfunduar vizitën…