Cili ka qenë roli i Shqipërisë në demonstrata?
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (9)
Shkruan: Bedri Islami
Unë nuk e di se si kanë rrjedhur punët në takimet e veçanta, sidomos në bisedat kokë më kokë apo me tre pjesëmarrës, në njësitë e larta të shtetit shqiptar. Nuk e di nëse janë marrë vendime të fshehta dhe është fakt se, përfshi ata për ndërrimet e pushtetit dhe të sistemit, çka ishin jetikë të ndërroheshin, ende nuk kanë dalë dokument të tjerë, veç atyre që njiheshin që asaj kohe ose u bënë të njohur pak më vonë. Nuk e di as nëse dashuria që Enver Hoxha shfaqte në publik për Kosovën ishte e stisur apo e vërtetë.
Kam qenë rastësisht në një takim të tij me motrën e Xhafer Spahiut, anëtar i udhëheqjes së lartë të shtetit shqiptar, i cili, në mos gaboj, e kishte prejardhjen nga Gjakova. Dhe e motra sapo kishte ardhur për vizitë tek ai. Me sa duket ata po shkonin ti uronin ditëlindjen Enver Hoxhës dhe u takuan në një mjedis ku ishin të pranishëm edhe disa gazetarë. Dikush i tha Enverit se Xhafer Spahiu po vinte me motrën e tij, nga Kosova, të cilën nuk e kishte parë prej vitesh. Enveri iu afrua asaj, hapi krahët, e mori mes tyre dhe i tha: “Motra ime, po vdes pa e parë Kosovën”. Gjithçka mund të kishte qenë shfaqje, por, në fakt, kur deshëm ta botonim këtë ngjarje, nuk na u lejua, duke arsyetuar se kjo ishte diçka vetjake e jetës së udhëheqësit.
Unë i takoj atij grupi njerëzish që as nuk mund të marrë kënd në mbrojtje dhe as nuk mund të fajësojë dikë. Unë përpiqem t’i sjell faktet ashtu si i kam përjetuar, pa bërë komentin e tyre, sepse, në raste të tilla, si janë ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, shumëçka do të ishte e tepërt. Ndonëse nuk është aspak e tepërt të analizohet qëndrimi i shtetit shqiptar në këtë periudhë.
Qëndrimi i Shqipërisë ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për vetë pjesëmarrësit në kryengritje. Mbështetja publike e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vendosur e Shqipërisë kishte për ta edhe kuptimin e gatishmërisë për të rrezikuar e për të shkuar edhe më tej. Nëse Shqipëria do të heshtte, thyerja e tyre do të ishte jashtëzakonisht e madhe. Nëse Shqipëria do të kishte dalë kundër kërkesave të tyre, atëherë do të kishim pasur një thyerje historike, që vështirë se mund të ndreqej ndonjëherë. Për fat ndodhi e kundërta e asaj që, ndoshta, kishin menduar në Beograd. Ndodhi ajo që kishin pritur demonstruesit: përkrahja pa ekuivok nga ana e shtetit shqiptar dhe kjo, edhe në kushtet e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme, do të ishte një mbështetje shumë e madhe për të vazhduar më tej.
Sidoqoftë, shumë pyetja janë shtruar që atëherë, shumicën e të cilave e shtrova edhe unë në fillimin e këtyre shënimeve, të cilat, e theksoj, kanë më shumë karakterin e njohurive të mija vetjake, se sa synimin e një analize shkencore.
Le t’i marrim disa prej tyre qetësisht, pa dashur të përbaltim ose të heqim baltën që është hedhur. Le të kthehemi edhe një herë me mendje në vitin 1981 dhe, duke e pasur të qartë se çfarë ndodhte në Kosovë, të analizojmë atë që ndodhte në shtetin shqiptar. Sepse, duke qenë si dy anë kumunikuese, duam apo s’duam, deri në një ditë të pritshme, jemi ngërthyer nga fati i këtyre enëve.
* * *
Që në ditët e para pas ngjarjeve të marsit të vitit 1981 janë ngritur pyetje të cilat bëhen edhe kësaj dite. Cili ka qenë roli i Shqipërisë në demonstrata? A ishin ato të përgatitura dhe të drejtuara nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij të fshehta apo gjithçka kishte ngjarë pa dijeninë e tij dhe shteti shqiptar ishte zënë në befasi? A ishin ato të mirorganizuara nga shteti shqiptar, qoftë edhe për të spostuar vëmendjen nga problemet që po i rriteshin apo shteti shqiptar kërkonte të shpejtonte ritmet e ngjarjeve që mund të vinin? A kishte dijeni drejtuesi i atëhershëm i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, apo gjithçka e kishin bërë ndihmësit e tij, pa e vënë atë në dijeni?
Strukturat drejtuese, shtetërore dhe partiake të kohës, në Kosovë dhe në Jugosllavi, pa përjashtim në të gjitha republikat dhe në krahinën e atëhershme të Vojvodinës, pas vetëm pak ditë heshtje, u sulën kundër Shqipërisë, duke e akuzuar atë se, pas gjithçkaje që kishte ndodhur, ishte dora e saj dhe e sigurimit të shtetit shqiptar. Akuzat ishin një kor i përbashkët, te i cili, nga shqiptimi, nuk dallohej nëse ishin sllovenë, kroatë, boshnjakë a malazezë, por ishe shumë e qartë kur ishin serbë e maqedonas. Çuditërisht, nga po të njëjtat grupacione në Kosovë, – pra thellësisht titistë dhe udbashë -, kjo akuzë, ndonëse më e sofistikuar, ngrihet edhe në ditët e sotme, në mbledhjet e turpshme e famëzeza të diferencimit. Nuk është për t’u çuditur se diçka e tillë ndodh. Akuzuesi kryesor i ngjarjeve të marsit 1981 dhe përfituesi më i madh i tyre, Azem Vllasi u rikthye sërish, qoftë edhe përkohësisht, në zyrat e vjetra, si këshilltar i kryeministrit Kosumi. Kjo ishte krejtësisht ndryshe nga sa mund të ishte menduar, kur merret parasysh se, pas demonstratave të vitit 1981, zoti Kosumi do të dënohej me 15 vjet burgim të rëndë, si një prej organizatorëve të saj.
Duhet besuar dhe është për t’u besuar, se shteti shqiptar, i cili i kushtonte një vëmendje të veçantë vëzhgimit dhe ngritjes së strukturave të kundërzbulimit kudo që e shihte të nevojshme dhe çfarë duhet pranuar se e bënte mjeshtërisht, nuk do të rrinte dorëjashtë nga shtrirja e tij në Jugosllavi e, sidomos, në Kosovë. Mund të mendohet se këtu e kishte edhe më të lehtë, pasi njerëzit ishin shqiptarë, që e donin deri në dhimbje Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, që e kishin ushqyer ëndrrën e bashkimit dhe jetesës së përbashkët, dhe që do të kishin vepruar njëlloj, edhe sikur në Shqipëri të vazhdonte të qeveriste monarkia e Zogut.
Është e besueshme se në Kosovë ka pasur njerëz që kanë punuar për shtetin shqiptar, ashtu si në Shqipëri nuk kanë qenë të paktë ata që kanë punuar për shërbimet sekrete jugosllave. Por ka një dallim rrënjësor mes tyre dhe bashkëpunëtorëve të UDB-së,qofshin këto të fundit në Kosovë apo në Shqipëri. Bile, mund të thuhet se nuk kishte asnjë lloj krahasimi mes tyre. Ata, që kishin pranuar të punonin për shtetin shqiptar, nuk e bënin këtë sepse donin grada apo tituj, se ishin nevojtarë dhe kishin hallin e bukës së gojës, apo të një jete në luks. Ata kishin ëndërrime e synime të tjera. Lidhja e tyre, qoftë organizative apo strukturore me shtetin shqiptar, ishte preludi i asaj që mendohej se do të vinte, bashkimi i trojeve, dhe për këtë ata kishin sakrifikuar e do të sakrifikonin gjithçka.
Në të kundërtën e tyre, udbashët, dyfish të shitur, si bashkëpunëtorë të sigurimit që kishte robëruar vendin e tyre dhe në dëm të interesave jetike të Kosovës, janë faqja më e errët dhe më makabre e historisë së Kosovës në 50 vitet e fundit. Asnjëherë, në asnjë kohë, Kosova nuk ka pasur këso lloj mostrash të përbindshme, të cilët, dy herë të kuq dhe dy herë të zinj, titistë si ideologji dhe udbashë si profesion, janë turpi i çdo vendi. Çuditërisht e jo çuditërisht, këta njerëz, edhe atëherë, edhe sot, kanë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të vitit 1981.
* * *
Tani që kanë kaluar më shumë se 40 vite mund të them me bindje se shteti shqiptar është zënë në befasi nga ngjarjet e vitit 1981. Ai nuk e ka pritur këtë, qoftë edhe për shkak të rrethanave disi të veçanta që ishin krijuar në parangjarjet e demonstratave të marsit.
Ishte një periudhë disi zbutjeje në marrëdhëniet mes dy shteteve. Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar sikur e kishin pranuar ‘luftën e heshtur’ me regjimin titist se cili do të influenconte më shumë tek tjetri, përmes shkëmbimesh kulturore e njerëzore, kontakteve, vëzhgimit të drejtpërdrejtë e kështu me radhë. Që nga ndërprerja e marrëdhënieve mes dy shteteve, nuk kishte ndodhur asnjëherë një gjë e tillë. Dhe nga shndërrimet që po ndodhnin marramendshëm shpejt, të dy regjimet, sikur kishin vënë në lojë atë që do të ndodhte në të ardhmen. Afërsia po bëhej gjithnjë e më e ndjeshme, kontaktet po bëheshin të zakonshme, njësimi i gjuhës shqipe dhe pranimi i teksteve të shtetit shqiptar në programet mësimore të Kosovës (duke hequr vetëm citimet politike), po bëheshin dukuri e natyrshme. Në këto kushte, si duket, shteti shqiptar nuk e kishte të menduar se mund të ndodhte në Kosovë, diçka e tillë si demonstratat e vitit 1981.
Regjimi titist kishte qenë i bindur se nga kontaktet do të rritej ndikimi i tyre, qoftë edhe për shkak se në Shqipëri, krahas të merituarve, u dërguan, nën gjithfarë petku, edhe bashkëpunëtorët e fshehtë të sigurimit serb. Shkrimtari Mehmet Kraja, në librin e tij “Vite të humbura”, duke treguar për pasudhëtimin e tij të parë në Shqipëri, së bashku me dy kolegë të “Rilindjes”, dëshmon edhe për faktin se bashkudhëtarët e tij gazetarë, në zyrat e Prishtinës, po grindeshin me njëri-tjetrin se kujt i takonte “nderi” ta përpilonte informacionin për UDB-në.
Ndryshe nga sa ishte pritur në Beograd apo në Prishtinë, mes dy përpjekjeve, ishte e natyrshme që influenca e shtetit shqiptar të ishte më e madhe. Duhet pranuar se në këtë kohë, në Shqipëri, niveli arsimor e kulturor i botimeve dhe i rrjeteve të informimit, universiteti dhe institutet, njerëzit përgjithësisht, ishin më të ngritur. Ndjenja për Kosovën ishte në zenitin e saj. Nga ana tjetër, ata që vinin nga Kosova në Shqipëri kishin marrë me vete, në radhë të parë, mallin dhe nuk mund t’i pranonin aq lehtë kundërshtitë që dukeshin. Ishte një kohë kur po bëhej e zakonshme të udhëtoje për në Prishtinë dhe të takoheshe me shokët e të njohurit; ishte bërë e zakonshme që libri shqip të ishte i njëjtë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Shteti shqiptar, në këtë kohë, mendonte se duhej pritur, se nuk duhej ngutur dhe se, ngutja pikërisht në këtë kohë, mund të sillte djegien e etapave. Mirëpo ndodhi e kundërta,ajo solli përshpejtimin e proceseve. (Vijon)