‘Cilido lider serb që e nënshkruan njohjen e Kosovës duhet të bëjë operacion plastik dhe të ik në Arizona’
Shkrimtari dhe akademiku serb, Dushan Kovaceviq, ka thënë se askush nga liderët në Serbi, as tash, e as në 50 vjetët e ardhshme, nuk do të duhej të guxonte ta nënshkruajë pranimin e pavarësisë së Kosovës.
E në rast se dikush do ta bënte një gjë të tillë, atëherë, atij, sipas Kovaceviqit, do t’i duhej të bënte edhe diçka tjetër.
“Nëse do të ndodhte që dikush të çmendet dhe të mendojë të nënshkruajë diçka të tillë, të turpshme, atëherë do t’i duhej që pas nënshkrimit të bëjë operacion plastik dhe pjesën tjetër të jetës ta kalojë në ndonjë bazë ushtarake në Arizona (ShBA)”, ka thënë ai në një intervistë për “NiN”, transmeton “N1”.
Kovaceviqi ka thënë se Serbia e ka të largët edhe integrimin në BE, pasi kushti kryesor, nga 20 të mbeturit, është njohja e pavarësisë së Kosovës.
Akademiku serb ka thënë se kërkesa e fundit e shqiptarëve është që të pranohet në mënyrë indirekte se ata janë pronarët e vërtetë të katër manastireve ortodokse dhe pronave të këtyre shtëpive fetare, në Kosovë.