Çitaku: E frikshme tendenca e pushtetit ta shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të një artikulli të shkruar nga mediumi boshnjak ‘Bosnja e Lirë’ nga Radio Televizioni i Kosovës. Ky artikull ku pretendohet se dy media në Kosovë – Nacionale dhe Periskopi – janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit, është shpërndarë edhe nga dy deputetët e partisë në pushtet, Sali Zyba dhe Dimal Basha.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çitaku e ka cilësuar si të dhimbshme dhe të frikshme tendencën e pushtetit për të shtypur fjalën dhe mendimin kundër.
Sipas saj, demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku e siç thotë ajo, Qeverisë nuk i intereson as njëra as tjetra.
“Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra. E dhimbshme me pa këtë tendencë të pushtetit me shtyp çdo fjalë dhe çdo mendim kundër. E frikshme!”, shkroi Çitaku.