Çitaku e kërkoi vetë lirimin nga detyra si ambasadore në ShBA
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e Vlora Çitakut nga pozita e ambasadores në Uashington.
“Klan Kosova” ka mësuar se lirimin nga detyra e ambasadores së Kosovës në ShBA e ka kërkuar vetë Vlora Çitaku.
Në letrën që Çitaku i ka dërguar presidentit Hashim Thaçi, ajo nuk ka dhënë arsyet për një veprim të tillë.
“Për më shumë se pesë vite, ka qenë nderi i jetës time që të përfaqësoj Republikën e Kosovës në ShBA. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet e Kosovës për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë mua dhe Ambasadës së Kosovës në ShBA ndër vite”, është thënë në letrën e Çitakut, drejtuar Thaçit.
Çitaku ka deklaruar se është e gatshme që të qëndrojë në detyrë për një periudhë kohore, derisa të bëhet zëvendësimi i saj.