Çitaku: Edhe nesër nëse liberalizohen vizat, është vonë
Është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si trajtohen qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, thotë ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Vlora Çitaku, duke komentuar faktin që Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa lëvizje të lirë në BE.
Çitaku, në kohën kur ka qenë ministre, ka pranuar udhërrëfyesin me kushtet e liberalizimit, për të cilat thotë se ka kohë që janë plotësuar.
“Kosova nuk po kërkon lëmoshë, nuk po kërkon favor, nuk po kërkon rrugë të shkurtër. Ne kemi kryer pjesën tonë të punës në vitin 2016 dhe Bashkimi Evropian është i vonuar. Edhe nesër nëse merret vendimi për liberalizimin e vizave, është vonë”, ka deklaruar Çitaku.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se BE-ja, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, është duke e humbur kredibilitetin e saj.
Çitaku, e cila aktualisht shërben si nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, flet edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për projektin e gazsjellësit të mbështetur nga SHBA-ja, për rolin e opozitës në Kuvend e të tjera.